“Ia bëmë jetën shumë të vështirë vetes”/ Si lindi përplasja Tuchel-Bellingham? Mesfushori ‘kunja’ trajnerit: Ai nuk e di si është të luash kundër Haaland

12/07/2026 22:25

Fitorja e Anglisë ndaj Norvegjisë, që siguroi kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, nuk solli vetëm festë në kampin anglez.

Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Thomas Tuchel dhe ylli i skuadrës Jude Bellingham u përfshinë në një shkëmbim deklaratash që zbuloi pakënaqësitë brenda ekipit.

Në konferencën për shtyp, Tuchel u shfaq kritik ndaj paraqitjes së futbollistëve të tij, pavarësisht suksesit që i çoi në katërshen më të mirë të turneut.

“Ne ishim me fat. Ia bëmë jetën shumë të vështirë vetes. Rezultati është fantastik, por nuk jam i kënaqur me mënyrën se si luajtëm. Ishim të ngadaltë, të parashikueshëm dhe bëmë shumë gabime teknike. Nuk ka asnjë përçarje mes meje dhe skuadrës. I dua lojtarët e mi, por e di që mund të luajmë shumë më mirë”, deklaroi tekniku gjerman.

Fjalët e tij nuk u pritën mirë nga Jude Bellingham, i cili vendosi t’i përgjigjej publikisht trajnerit, duke mbrojtur performancën e shokëve të skuadrës.

“Ndoshta Tuchel nuk e di se çfarë do të thotë të luash kundër Haaland, Odegaard, Nusa dhe Sorloth. Norvegjia nuk është një kundërshtar i lehtë. Ishte një sfidë shumë e vështirë dhe meritat i takojnë të gjithë djemve që luftuan deri në fund për të na çuar në gjysmëfinale. Nuk fitohen të gjitha ndeshjet duke dominuar apo duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë të vështirë dhe pikërisht këtë bëmë ne”, u shpreh mesfushori i Real Madridit.

Polemika mes trajnerit dhe një prej liderëve të ekipit është e pazakontë, sidomos pasi ndodhi publikisht vetëm pak minuta pas ndeshjes. Zakonisht diskutime të tilla zhvillohen larg kamerave, brenda dhomave të zhveshjes, gjatë analizës së ndeshjes.

Nga njëra anë, Tuchel kishte arsye të kërkonte më shumë nga skuadra, pasi Anglia nuk zhvilloi një ndeshje bindëse dhe në disa momente u ndihmua edhe nga fati. Nga ana tjetër, Bellingham mbrojti grupin, duke theksuar se përballë një kundërshtari të fortë si Norvegjia, rëndësi kishte rezultati dhe aftësia për të menaxhuar presionin.

Tashmë polemikat duhet të lihen pas, pasi Anglia përballet me një sfidë edhe më të madhe. “Tre Luanët” do të ndeshen me Argjentinën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, në një duel që pritet të jetë një nga më spektakolarët e turneut.

Top Channel