Franca dhe Gjermania thërrasin ambasadorët rusë, akuza të rënda për sulme kibernetike ndaj Europës dhe paralajmërim për sanksione të reja

13/07/2026 12:30

Franca dhe Gjermania kanë thirrur ambasadorët rusë në Paris dhe Berlin, pas akuzave se Moska ka zhvilluar një fushatë të gjerë sulmesh kibernetike dhe veprimesh hibride kundër disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, bëri të ditur se Franca do të thërrasë ambasadorin rus në Paris në ditët në vijim, duke dënuar atë që e cilësoi si një fushatë kibernetike të organizuar nga shërbimi sekret rus FSB.

“Do të dënojmë publikisht një fushatë të gjerë kibernetike të kryer nga Rusia kundër të paktën 10 vendeve evropiane”, deklaroi Barrot, duke shtuar se Parisi do të vendosë sanksione ndaj nëntë individëve dhe katër entiteteve të lidhura me këto sulme.

Në të njëjtën kohë, edhe Gjermania njoftoi se ka thirrur ambasadorin rus në Berlin për të kërkuar shpjegime mbi sulmet e dyshuara kibernetike. Ministria e Jashtme gjermane i cilësoi këto veprime si të papranueshme dhe paralajmëroi se do të pasohen nga masa të vendosura.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po diskutojnë në Bruksel paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa tensionet mes Moskës dhe Perëndimit vijojnë të rriten.

Top Channel