Më shumë mbrojtje për qytetarët dhe më pak tolerancë për shkeljet. Këta janë disa nga përfundimet e evidentuara nga Banka e Shqipërisë në Raportin e Mbikëqyrjes për vitin 2025.
Nga njëra anë, vitin e kaluar u morën më shumë masa për të ulur koston e kredive konsumatore, ndërsa nga ana tjetër janë shtuar kontrollet dhe ndëshkimet ndaj institucioneve financiare që nuk respektojnë rregullat.
Për qytetarët, ndryshimi më i prekshëm lidhet me kreditë konsumatore. Banka e Shqipërisë ka vendosur kufij më të rreptë për normën efektive të interesit, duke bërë që ajo të bjerë nga rreth 95% në 62%. Kjo do të thotë se një familje që merr një kredi për mobilimin e shtëpisë, për blerjen e një pajisjeje elektroshtëpiake apo për të përballuar një shpenzim të papritur, pritet të paguajë më pak interesa dhe komisione.
Por, krahas mbrojtjes së konsumatorit, raporti ndalet te forcimi i mbikëqyrjes. Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë evidentoi një sërë shkeljesh.
“Llojet e problematikave të identifikuara në banka lidhen kryesisht me kuadrin rregullator, proceset e vigjilencës, si: mospërfshirje të referencave ligjore në kuadrin e brendshëm rregullator, analiza jo të thelluara për transaksionet në vlerë të lartë që nuk lidhen me fushën e veprimtarisë së subjektit/klientit, mosmbajtje evidencash për verifikimet e kryera kundrejt listave për pronarët përfitues, mangësi të procedurës së raportimit të transaksioneve në para fizike, mangësi në kryerjen e analizës për burimin e fondeve”, tha Banka e Shqipërisë.
Si rezultat i shkeljeve të konstatuara, Banka e Shqipërisë vendosi gjoba për institucione të parasë elektronike, pezulloi aktivitetin e një subjekti jobankë dhe revokoi licencat e një shoqërie kursim-krediti, dy subjekteve jobankë dhe një institucioni pagesash.
Paralelisht, gjatë fushatës së kontrollit të zyrave të këmbimit valutor, u morën 200 masa administrative për mosraportim, u revokuan 83 licenca.
“Gjetjet kryesore lidhen me mangësi në zbatimin e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar, mungesë të sistemeve të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dobësi në dokumentimin e verifikimeve me listat e sanksioneve, mungesë trajnimesh dhe raportim jo të rregullt të veprimeve valutore pranë Bankës së Shqipërisë”, tha Banka e Shqipërisë.
Raporti tregon se, krahas rritjes së stabilitetit të sistemit bankar, është shtuar edhe presioni ndaj institucioneve financiare për të respektuar rregullat, me synimin për të rritur transparencën dhe besimin e qytetarëve në sistemin financiar.
Top Channel