“Në moshën 19-vjeçare nuk isha as profesionist”, Rodri krahason veten me Lamine Yamal: Ka një pjekuri të jashtëzakonshme, por ka ende diçka që duhet ta ndryshojë

13/07/2026 12:11

Kapiteni i Spanjës, Rodri, ka folur me superlativa për Lamine Yamal në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, duke theksuar se talenti 19-vjeçar jo vetëm ka cilësi të jashtëzakonshme në fushë, por edhe një sjellje shembullore brenda grupit.

Fituesi i “Topit të Artë” zbuloi se shpesh i jep këshilla Yamalit gjatë ndeshjeve, ndërsa vlerësoi mënyrën se si ai i pranon kritikat.

“Një nga cilësitë e tij më të mëdha, përveç pjekurisë së jashtëzakonshme, është se dëgjon gjithmonë atë që i thuhet. Është shumë ambicioz dhe mendon se mund të përmirësohet vazhdimisht”, u shpreh Rodri.

Mesfushori i Manchester City-t tha se Yamal duhet të ruajë qetësinë në momentet e vështira të ndeshjeve.

“Është një sulmues krahu klasik, kërkon gjithmonë të fitojë duelet një kundër një. Kur nuk i del driblimi ose mendon se arbitri nuk i ka dhënë një faull, ndonjëherë ndalet. Pikërisht aty i them të mos dorëzohet dhe të vazhdojë të provojë. Ai dëgjon dhe ka një dëshirë të madhe për të mësuar”, deklaroi kapiteni i Spanjës.

Rodri shtoi se, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, Yamal mbetet ende një 19-vjeçar.

“Duhet të qetësojë pak ankthin që ka për të treguar gjithmonë vlerat e tij. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, me dhe pa topin, dhe është jashtëzakonisht inteligjent. Mund të përmirësohet edhe më shumë në leximin e momenteve të ndeshjes, por niveli i tij është tashmë i dukshëm për të gjithë.”

Kapiteni spanjoll bëri edhe një krahasim me veten në të njëjtën moshë.

“Në moshën 19-vjeçare nuk isha as futbollist profesionist. Luaja me Villarreal B dhe dilja në festa me miqtë. Atë verë mora pjesë në Kampionatin Europian U-19. Ndërsa Lamine po feston 19-vjetorin në prag të një gjysmëfinaleje të Botërorit. Është diçka e pabesueshme.”

Duke folur për përballjen me Francën, Rodri e cilësoi kundërshtarin si skuadrën më të kompletuar të turneut.

“Franca ka potencial të jashtëzakonshëm në sulm, por edhe në mbrojtje është shumë e fortë. Pres një ndeshje të ekuilibruar dhe me pak hapësira, jo një spektakël me shumë gola si ai i Nations League. Objektivi ynë është të kontrollojmë topin dhe ritmin e lojës”, përfundoi ai.

Top Channel