Orikum, çmimet nuk janë rritur/ Korriku përmirëson bilancin. Turistët nga Kina, Norvegjia dhe Australia, risia e verës

11/07/2026 19:21

Plazhet e Orikumit po njohin nga viti në vit një rritje të interesit nga turistët, veçanërisht ata të huaj. Edhe gjatë dhjetëditëshit të parë të muajit korrik, bregdeti i kësaj zone është mbushur me pushues.

Pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë nga Polonia, Çekia, Gjermania dhe Italia, ndërsa këtë sezon janë regjistruar edhe turistë nga Kina.

Krahas ditëve në plazh, ata vizitojnë edhe pikat historike dhe natyrore të zonës, si Parkun Kombëtar dhe Bazën e Pashalimanit, duke e kthyer Orikumin në një destinacion që ndërthur turizmin bregdetar me atë kulturor dhe natyror.

Turistët shprehen:

“Vijmë nga Torino e Italisë dhe sapo kemi mbërritur në Orikum. Më parë kaluam disa ditë në Durrës, por këtu na duket edhe më bukur. Na pëlqen shumë zona dhe kemi vënë re se çmimet janë shumë më të ulëta krahasuar me Italinë”. 

“Jam nga Torino dhe është hera e parë që vizitoj Orikumin. Më parë qëndruam tre ditë në Durrës, ku vizituam edhe Kepin e Rodonit, që ishte shumë i bukur. Në Orikum kemi shumë miq dhe kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për këtë zonë. Gjatë ditëve në vijim do të vizitojmë atraksionet turistike, ndërsa na ka bërë përshtypje edhe fakti që çmimet janë të përballueshme”.

“Kemi ardhur si grup nga veriu i Italisë. Deti është i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi është shumë i mirë. Deri tani gjithçka na ka lënë përshtypje shumë pozitive”.

Operatorët turistikë e cilësojnë pozitiv ecurinë e sezonit veror. Shumë prej tyre janë vizitorë besnikë, të cilët rikthehen çdo vit në bregdetin shqiptar.Edhe pse gjatë kësaj periudhe ka pasur disa anulime rezervimesh, ato janë zëvendësuar nga prenotimet e minutës së fundit, duke e mbajtur bilancin e sezonit pozitiv. Sipas bizneseve, sfida kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore, problem që po përballohet kryesisht nga bizneset familjare.

Operatorët theksojnë se çmimet e akomodimit dhe të shërbimeve kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me sezonet e kaluara, ndërsa edhe në restorante nuk ka pasur rritje të çmimeve. Ata vlerësojnë se plazhet ofrojnë kushte të mira për pushuesit, ndërsa problematikë mbetet infrastruktura në disa segmente rrugore që lidhin zonën me bregdetin.

Ndërkohë, edhe Parku Kombëtar ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë këtij sezoni.

“Kemi ardhur si grup nga veriu i Italisë. Deti është i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi është shumë i mirë. Deri tani gjithçka na ka lënë përshtypje shumë pozitive”, tha turistja.

 

 

Top Channel