Me një këngë dedikuar nga “Thesaret labe”, Profesor Luan Omari u nderua në 101-vjetorin e lindjes.
Profesori bëhet i pari akademik shqiptar që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet gjallë, që prej vitit 1972 kur u ngrit ky institucion. Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend.
“Një njeri që ka lidhur emrin e tij me dy kapituj të rëndësishëm të historisë sonë, luftën për liri dhe kontributin për themelimin e ndërtimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Jeta dhe vepra e Profesorit mbetet një shembull frymëzimi për brezat, një dëshmi se shërbimi ndaj atdheut mund të marrë forma të ndryshme, por mbetet gjithmonë me vlera të përhershme”, u shpreh Shkëlqim Hajdari, prefekt i Tiranës.
Në këtë përvejtor, Omari u vlerësua me “Yllin e Artë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare për kontributin në luftë dhe për veprimtarinë në fushën e shkencave juridike. Falënderimet në aktivitetin që u mbajt në Akademinë e Shkenace, Profesori 101-vjeçar i përcolli përmes vajzës së tij, Anila Omarit.
“Babai im ka qenë tërë jetën një antifashist tërë jetën. Është shprehur krenar që ka qenë pjesëtar i Luftës Antifashiste Nacionale”, shprehet Anila Omari, vajza e profesor Luanit.
Miq, kolegë, bashkohës të Luan Omarit kujtuan rolin e tij për themelimin e shtetit të së drejtës dhe kontributin pedagogji, ku formoi disa breza juristësh.
“Këto kujtime që kemi për këta njerëz të shquar të Shqipërisë t’i ruajmë dhe t’ia kalojmë fëmijëve tanë”, u shpreh Mumtaz Dhrami.
Luan Omari është një nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pas viteve ’90 dhe është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi të drejtën kushtetuese.
Top Channel