Nëse bën një vëzhgim në qendrat shëndetësore nëpër Tiranë shikon një fluks njerëzish, sidomos fëmijë nga 0 në 6 vjeç. Mjeken Sonila Brati e gjejmë në kulmin e punës.
Sonila Brati, pediatre: Në përgjithësi në këtë periudhë të vitit, numri i vizitave dhe rasteve zvogëlohej, për shkak se fëmijë frekuentonin më pak çerdhet dhe kopshtet, ndërsa shkollat janë të mbyllura. Por në këtë periudhë ne po vëmë re të kundërtën. Vazhdojmë të kemi një fluks virozash dhe vizita që shkojnë nga 25-30 fëmijë në ditë.
Ato që predominojnë janë temperaturat shumë të larta te fëmijët, infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, infeksione të rrugëve të poshtme dhe gastrointeritet. Ka një rikthim të gastrointeriteve prej gati një muaji, pra diarre, të vjella, temperaturë te fëmijët. Fëmijë që kthehen pas pushimeve dhe kanë marrë ndonjë virozë atje ku kanë pushuar.
Faktorët që ndikojnë në qarkullimin e virozave janë temperaturat e larta të gushtit, virozat kanë tendencë të shtohen në mot të nxehtë. Përdorimi I gjatë i kondicionerëve dhe diferencat e mëdha të temperaturës nga ambient i jashtëm me atë të brendshëm. Grumbullimet e shtuara, ardhja e emigrantëve, frekuentimi I ambienteve të përbashkëta janë arsye të tjera.
Përsa u përket infektimeve me Covid, në këtë periudhë ndryshe nga periudha e korrikut dhe fund-qershorit, kur ne kishim një boom rastesh, numër të lartë tamponesh që arrinin në 70-80 në ditë, tani ka më pak raste dhe sipas meje ka më shumë viroza sesa raste me Covid-19.
Top Channel