Kina i dhuron dy panda SHBA-së, tradita që daton nga viti 1972 pas vizitës historike të presidentit Nixon në Pekin
Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha në një intervistë për “The New York Times” se qeveria e tij ka marrë në konsideratë edhe skenarin ekstrem të një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Kanada, megjithëse një pushtim i tillë nuk konsiderohet skenari bazë.
“Është përgjegjësi e atyre që mbajnë këto poste të shqyrtojnë edhe rreziqet ekstreme”, tha Carney, duke e përshkruar këtë si pjesë të menaxhimit normal të rrezikut. Ai shtoi se do të ishte e papërgjegjshme të mos përgatiteshin plane edhe për një skenar të tillë, në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur deklaratat për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së.
Në intervistën në fjalë, Carney foli edhe për përpjekjet e Kanadasë për të diversifikuar lidhjet ekonomike dhe strategjike, duke ulur varësinë nga Shtetet e Bashkuara.
Një prej shembujve është Starlink, shërbimi satelitor i internetit i kompanisë SpaceX. Carney tha se Kanadaja do të kërkojë të reduktojë varësinë nga shërbimi, duke deklaruar se vendi “do të diversifikohet larg Starlink-ut, pa diskutim”.
Megjithatë, kryeministri pranoi se shkëputja nga ekonomia amerikane ka kufizime. Ai tha se nuk do të kishte kuptim të copëtohej industria e integruar automobilistike mes dy vendeve. Carney gjithashtu paralajmëroi kundër ideve për përdorimin e eksporteve kanadeze të energjisë dhe ushqimeve si mjet presioni ndaj SHBA-së.
Një tjetër çështje e ngritur nga Carney ishte sistemi financiar ndërkombëtar. Sipas tij, politikat e administratës Trump dhe përdorimi i tregtisë si mjet presioni mund të nxisin vende të ndryshme të kërkojnë alternativa ndaj dollarit amerikan.
Carney argumentoi se një sistem financiar global me disa monedha rezervë, në vend të një sistemi të dominuar nga dollari, mund të ofrojë më shumë fleksibilitet.
“Pasi e sheh këtë, fillon të mendosh: si mund të diversifikohem?”, tha ai, duke iu referuar nevojës për të shmangur varësinë e tepërt nga një partner i vetëm.
Megjithë përplasjet tregtare mes dy vendeve, Carney tha se vazhdon të komunikojë shpesh me Donald Trump. Sipas tij, të dy liderët kanë folur disa herë që prej dështimit të rëndë të negociatave tregtare në gusht dhe vendosjes së tarifave të reja nga të dyja palët.
Intervista e Carney-t pasqyron përpjekjen e Kanadasë për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në, ndërkohë që përgatitet për një skenar ku varësia e saj nga fqinji jugor mund të paraqesë rreziqe më të mëdha ekonomike dhe strategjike.
Top Channel