Gati 1 milion euro nga sendet personale të Brigitte Bardot, ankandi tejkalon vlerësimet fillestare

22/09/2026 13:48

Gati 1 milion euro u mblodhën nga ankandi i sendeve personale të aktores legjendare franceze Brigitte Bardot, duke tejkaluar me rreth 20 herë vlerësimet fillestare, sipas shtëpisë së ankandeve Millon.

Aktorja ndërroi jetë në dhjetor, në moshën 91-vjeçare. Të ardhurat nga ankandi do të shkojnë për Fondacionin Brigitte Bardot, i cili merret me mbrojtjen e kafshëve, ndërsa një pjesë e shumës do t’i jepet djalit të saj, Nicolas-Jacques Charrier.

Në ankandin e zhvilluar të hënën, më 21 shtator, u nxorën në shitje 285 artikuj nga shtëpitë e Bardot në Paris dhe Saint-Tropez. Mes tyre kishte kapele kashte, syze dielli, veshje, enë tavoline dhe mobilje. Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), rreth 3,000 ofertues nga Franca dhe vende të tjera morën pjesë në ankand.

Ankandisti Alexandre Millon e përshkroi rezultatin si të jashtëzakonshëm, duke iu referuar diferencës së madhe mes vlerësimeve fillestare dhe shumës së mbledhur.

“Brigitte Bardot vërtetoi edhe një herë se është një alkimiste e jashtëzakonshme, ajo i shndërroi vlerësimet prej rreth 50,000 eurosh në pothuajse 1 milion euro, duke përfshirë komisionet”, tha Millon.

Mes sendeve të shitura ishin edhe dy qafore për qen me emrin e Bardot. Edhe pse ishin vlerësuar fillimisht vetëm 30 euro, ato u shitën për 9,400 euro te një blerës nga Rusia.

Një portret i aktores u shit për gati 40,000 euro, ndërsa makina e shkrimit që ajo përdori për të shkruar autobiografinë e saj u shit për 4,634 euro. Dy kitara u shitën përkatësisht për 8,600 dhe 1,900 euro, ndërsa tre lodra prej pelushi arritën shumën prej 2,200 eurosh.

Ghislaine Calmels, CEO e Fondacionit Brigitte Bardot, e lidhi ankandin me një shitje të mëparshme të organizuar nga vetë aktorja në vitin 1987.

“Kjo shitje është një vazhdim i asaj që ajo organizoi në vitin 1987. Sot, lufta e saj vazhdon”, tha Calmels pas ankandit.

Ankandi shkaktoi reagimin e bashkëshortit të fundit të Brigitte Bardot, Bernard d’Ormal, i cili kundërshtoi shitjen e sendeve personale të aktores.

“Janë sende personale. Është mungesë respekti ndaj kujtimit të Brigitte. Sendet e saj duhet të ishin ruajtur si pjesë e trashëgimisë së saj”, deklaroi ai për AFP, dy ditë para ankandit.

D’Ormal pretendoi gjithashtu se Bardot nuk do të kishte qenë dakord me vendimin për shitjen e sendeve të saj personale.

Fondacioni Brigitte Bardot i hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se shitja ishte miratuar nga bordi i drejtorëve në qershor, në një kohë kur vetë Bernard d’Ormal ishte president i fondacionit.

Bashkëshorti i fundit i aktores tha se nuk e kishte kuptuar se ankandi do të përfshinte një numër kaq të madh sendesh personale. Polemika shpërtheu disa ditë pasi ai u largua nga drejtimi i Fondacionit Brigitte Bardot, një pozicion që e kishte mbajtur që prej vdekjes së aktores.

Top Channel