Taylor Swift hyn në histori në Video Music Awards 2026, merr statujën e 31 dhe vendos një rekord të ri

23/09/2026 09:58

Taylor Swift do të nderohet me Çmimin e Nderit për Regjisore Artiste në ceremoninë e MTV Video Music Awards 2026, e cila do të mbahet të dielën, më 27 shtator, në Los Angeles.

Ky është një çmim i ri, i krijuar për të vlerësuar artistët, puna e të cilëve pas kamerës ka ndikuar në zhvillimin e videoklipeve muzikore dhe artit të rrëfimit vizual.

Me këtë vlerësim, Swift do të arrijë në 31 statuja MTV VMA dhe do të vendosë një rekord të ri për numrin e çmimeve të fituara në historinë e ceremonisë. Deri tani, ajo ndante vendin e parë me Beyoncé, me nga 30 statuja secila. Në mesin e artistëve meshkuj, rekordin e mban Eminem me 15 çmime.

Ceremonia do të zhvillohet në Teatrin Peacock në Los Angeles dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në CBS, ndërsa do të transmetohet edhe në MTV dhe do të jetë e disponueshme në platformën Paramount+. Eventi do të prezantohet nga Snoop Dogg.

Madonna kryeson listën e nominimeve të këtij viti me 11 të tilla, përfshirë kategoritë Videoklipi i Vitit, Artisti i Vitit dhe Kënga e Vitit. Swift ka nëntë nominime, ndërsa Ariana Grande dhe Sabrina Carpenter kanë nga shtatë.

Bruno Mars, PinkPantheress dhe Zara Larsson kanë nga pesë nominime secili, ndërsa LISA e BLACKPINK ka katër. Shakira, Tate McRae, GENER8ION dhe Yung Lean kanë nga tre nominime.

Në kategorinë “Artisti i Vitit” janë nominuar Madonna, Taylor Swift, Ariana Grande, Bruno Mars, Sabrina Carpenter dhe Morgan Wallen.

Ceremonia e këtij viti do të ketë 26 artistë të nominuar për herë të parë. Mes tyre janë GENER8ION dhe Yung Lean, grupi K-pop CORTIS dhe këngëtarja Stella Lefty.

Madonna do të hapë ceremoninë, duke u rikthyer në skenën e çmimeve pas 23 vitesh. Në mesin e artistëve që do të performojnë janë GENER8ION, Shaboozey, LISA, Raye dhe Sienna Spiro.

Ndërkohë, Nirvana do të nderohet me çmimin Video Vanguard të këtij viti, 34 vjet pas paraqitjes së parë të grupit në MTV Video Music Awards.

Votimi publik për 13 kategori nisi në mesin e gushtit dhe do të përfundojë më 25 shtator. Për kategorinë “Artisti më i Mirë i Ri”, votimi do të vijojë edhe pasi të nisë ceremonia.

Top Channel