Greqia, Egjipti dhe Arabia Saudite thuhet se do të paraqesin një ofertë të përbashkët për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2030.
Lajmi vjen nga Egjipti dhe e publikon portali cairo24.com, sipas të cilit është mbajtur një takim trepalësh për të përcaktuar aranzhimet përfundimtare në paraqitjen e kandidaturës për organizimin e këtij kampionati, pasi të tre vendet ranë dakord që kjo kandidaturë të jetë e përbashkët për ngjarjen më të madhe futbollistike në botë në nivel të ekipeve kombëtare.
Madje në artikullin përkatës thuhet se ministri i Sportit dhe Rinisë së Egjiptit, Ashraf Sobhi, ka shprehur synimin për të ndërtuar një stadium të madh në El Alamein, për t’i shtuar stadiumeve të vendit që janë në gjendje të “presin” ndeshjet e turneut, ndërsa rezultatet e takimit do të njoftohet qeveria egjiptiane.
Siç theksojnë mediat greke që kanë përcjellë këtë lajm, nëse ky informacion specifik vlerësohet si i vërtetë, Greqia mund të “mirëpresë” ndeshjet e Botërorit në disa stadiume të reja, pasi përveç “OPAP Arena” (stadiumi i ri i ekipit të AEK-ut në Athinë), deri në vitin 2030 pritet që të përfundojnë edhe stadiumet e reja të Panathinaikos-it në Athinë dhe PAOK-ut në Selanik, ndërkohë që disponon edhe dy stadiumet e mëdha si OAKA dhe “Georgios Karaiskakis”.
Top Channel