Një sulm ndaj një tempulli të komunitetit të vogël Sikh në Afganistan ka lënë të vdekur një besimtar dhe një anëtar të forcave talibanë.
Disa persona të tjerë mbetën të plagosur kur një makinë e mbushur me eksplozivë shpërtheu pranë godinës, brenda së cilës ndodheshin rreth 30 persona.
Ky është tempulli i fundit sikh që mban ende dyert hapur në kryeqytetin afgan. Liderët e këtij komuniteti vlerësojnë se vetëm 140 ndjekës të këtij besimi kanë mbetur në Afganistanin kryesisht mysliman, nga 100,000 të tillë që vendi numëronte ne vitet 1970.
Shumë sikhë u larguan nga vendi në prag të marrjes së kontrollit nga talebanët, sipas anëtarëve të komunitetit dhe raporteve të medias. Pas marrjes së pushtetit gushtin e vitit të kaluar, në mes të tërheqjes së forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA, talebanët pretenduan se kishin siguruar Afganistanin.
Por zyrtarët dhe ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se ekziston një rrezik i vazhdueshëm i një ringjalljeje të militantizmit. Edhe pse askush nuk ka marrë deri tani përgjegjësi për sulmin në tempull, Shteti Islamik në provincën Khorasan, një degë rajonale e ISIS-it i ka shtuar së fundi goditjet ndaj xhamive dhe pakicave në të gjithë vendin.
Komuniteti Sikh, si pakicat e tjera fetare, ka qenë një objektiv i përhershëm i dhunës në Afganistan. Një sulm i marrë përsipër nga Shteti Islamik në një tempull tjetër në Kabul në vitin 2020 vrau 25 anëtarë.
Top Channel