Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në New York, kryeministri spanjoll Sanchez nuk do të marrë pjesë në pritjen e Trump

22/09/2026 13:19

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez nuk do të marrë pjesë në pritjen e organizuar këtë vit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për delegacionet e krerëve të shteteve me rastin e fillimit të sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Sipas burimeve të cituara nga El Pais, mungesa e Sanchez lidhet me “arsye programore”. Burimet shpjegojnë se axhenda e kryeministrit spanjoll përcaktohet shumë kohë përpara, ndërsa ftesat për pritjen e organizuar nga presidenca amerikane dërgohen me një njoftim të shkurtër, për shkak edhe të masave të shtuara të sigurisë.

Megjithatë, axhenda zyrtare e Sanchez për të martën nuk tregon deri më tani ndonjë angazhim që përkon me orarin e pritjes së Donald Trump.

Kryeministri spanjoll nuk mori pjesë as në eventin përkatës të organizuar nga Trump vitin e kaluar. Në atë rast, delegacioni spanjoll u përfaqësua nga Mbreti Felipe VI.

Sanchez kishte marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti amerikan në dy vitet e para të mandatit të tij, në 2018 dhe 2019, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Begoña Gómez. Në vitet 2020 dhe 2021, eventi nuk u zhvillua për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më pas, Sanchez mori pjesë në pritjet e organizuara nga Presidenti Joe Biden në vitet 2022 dhe 2023. Në vitin 2024 ai mungoi, pasi eventi përkoi me fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Pavarësisht mungesës në pritjen e organizuar nga Trump, Pedro Sanchez do të jetë pjesë e hapjes së debatit të përgjithshëm të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku do të mbajë fjalim edhe Presidenti amerikan.

Programi i kryeministrit spanjoll përfshin gjithashtu pjesëmarrjen në një aktivitet në nder të autores dhe gazetares Gloria Steinem, një prej figurave të njohura të lëvizjes feministe.

Sanchez pritet të marrë pjesë edhe në diskutime mbi mbrojtjen e fëmijëve nga sfidat që lidhen me inteligjencën artificiale, si dhe mbi promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

Të hënën, kryeministri spanjoll u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Gjatë takimit, Sanchez vlerësoi rolin e OKB-së si një “hapësirë për dialog për të kërkuar zgjidhje” në një periudhë tensionesh ndërkombëtare dhe sfidash për institucionet shumëpalëshe.

Të dy theksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, adresimin e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në një klimë globale të karakterizuar nga polarizimi dhe konfliktet e armatosura.

Top Channel