Pas ngjarjes së 10 Prillit, komandot e grupit “PIRRO” përgatitën një tjetër agresion ndaj Shqipërisë. Në 19 Mars të vitit 1995 ata kaluan sërish kufirin dhe iu drejtuan Postës Kufitare të fshatit Llongo në Shqipëri.
Por, para se të arrinin pranë objektivit ata gjenden në mes të shtënave të armës së një bariu të zonës siç zbulohet në një letër sekrete që ka mbërritur në strukturat antiterror.
Të gjendur në këto kushte, komandot mendojnë se janë zbuluar dhe ikin me shpejtësi andej nga erdhën. Por, në këtë tentativë për sulm të dytë ata arrestohen nga policia greke në vendin e quajtur “Hani i Delvinaqit”, në Janinë.
Shtatë të arestuarit ishin Jorgo Anastasuli, oficer rezervist grek, Apostol Karvellas, Mario Kutulla, Jorgo Kristo, Jorgo Papa nga Saranda, Harallamb Papa nga fshati Krioner dhe Fredi Beleri nga Himara.
“Unë u gjeta në një makinë me dy bashkëfshatarë dhe u provua dhe nga dëshmia tyre, dhe gjykata greke që unë personalisht nuk kishim fare dijeni për armët, u bë ekspertiza e armëve, nuk ka gishtërinj të mi, me sa jam dijeni as të bashkëfshatarit tjetër, kjo është arsyeja pse gjykata nuk i lidhi cështjet”u shpreh Fredi Beleri, ish i pandehur për masakrë e Peshkëpisë
Referuar materialeve në dosje, ata janë hetuar nga autoritetet greke fillimisht për pjesëmarrje në aktin terrorist në Peshkëpi, por më pas akuzat u zbehën në armëmbajtje pa leje.
Top Channel