Inside Story/ “5 trashëgimtarët ndërruan jetë pa u mbyllur procesi”, drejtësia nuk bëri drejtësi për hallexhinjtë

23/09/2026 21:46

Statistikat dhe rrëfimet e profesionistëve që e njohin sistemin e drejtësisë nga brenda, zbulojnë se qytetari i thjeshtë duhet të presë me dekada të marrë drejtësi.

Kur çështja është penale, atëherë shpesh vitet ikin brenda qelive. Shpesh, pa dalë kurrë i gjallë…

Inside Story bëri një vëzhgim të shpejtë në dy prej gjykatave më problematike në vend. Gjykata e Apelit e Tiranës është “Thembra e Akilit” e drejtësisë sonë.

Në vëzhgimin tonë ditor, gjetëm përpara dyerve të Gjykatës së Apelit, avokatin Dulejman Karaj. Ky i fundit na tregoi çështjen që po ndiqte, tipike e dështimit të sistemit të drejtësisë.

“Kam pasur një çështje me një familje shqiptare me një përpjestim pasurie që në vitin 2016 është mbyllur në shkallën e pare, natyrisht me fitore. Pala kundërshtare e dërgoi në apel dhe kur vijmë tani për të mësuar për datën e gjyqit dhe për të mësuar mbi çështjen, mësojmë se nga 7 trashigimtarë, 5 kanë vdekur”, u shpreh avokati, Dulejman Karaj.

Pra, çështja që po ndjek ai në Gjykatë ka nisur me palët paditëse dhe tashmë ka kaluar te trashëgimtarët. Shumica e tyre sot fatkeqësisht kanë ndërruar jetë dhe procesi po humbet çdo lloj kuptimi. Kjo nuk mund të jetë drejtësia që meritojnë qytetarët shqiptarë, që shkojnë dhe në banesën e fundit me merakun e mbarëvajtjes së çështjes penale. Por, sa vite pret në Apel kjo çështje që po thyen rekorde dhe po shkon drejt zhbërjes….

Komunikimi rastësor yni me avokatin Karaj pranë Gjykatës, nuk ishte veçse ecejaku i tij i radhës që dështonte pa rezultat. Përpos rastit të rëndë që na tregoi për vdekjen e palëve që prisnin gjyqin, ai thotë se shumë prej klientëve të tij janë pensionistë që presin të drejtën e pensionit nga gjykata. Pra, kafshatën…

“Detyrohet tani të rishtyhet çështja për të bërë dëshmitë e trashëgimisë për të gjallët. Këto fenomene që zgjasin me 7,8 apo 10 vite me vonesat është bërë e zakonshme. Qytetarët nuk marrin drejtësi, qytetarët vdesin duke pritur drejtësi. Çështje pronash, përpjestim pasurie, çështje pensionesh. Njerëz mbi 70 vjeçarë vijnë të marrin të drejtën e pensioneve, ata vdesin pa marrë”, u shpreh avokati, Dulejman Karaj.

Top Channel