Inside Story/ “Beteja” mes shtetit dhe bankës për banesën e sekuestruar të trafikantit VIP! Pse mbeten asetet jashtë kontrollit?!
Denoncimet e shumta të qytetarëve kanë konfirmuar një skandal që ndodh në magazinën ku do të duhet të ruhen asetet e sekuestruara. Nga auditimet rezulton se u zhdukën plot 24 vetura të sekuestruara apo të konfiskuara, që nuk dihet se ku përfunduan…
KLSH: Sipas të dhënave të sektorit rezultonin 23 automjete të konfiskuara dhe 80 të sekuestruara. Sipas magazinës rezultonin 79 automjete.
‘Mjetet që sekuestrohen duhet patjetër të shpërndahen në mënyrë të shpejtë, sepse ekziston rreziku në gjyq që dikush ta fitojë të drejtën për ta rimarrë mjetin e tij. Një mjet i pavënë në përdorim… Kemi qindra mijëra makina që janë kapur nga policia, kanë mbetur aty; ato nuk janë më makina, janë thjesht hekurishte’, u shpreh Arben Malaj, ekspert ekonomie.
Por, skandali me administrimin e automjeteve nuk mbaron me kaq. Këto foto që shihni janë dërguar në redaksinë e Inside Story nga një qytetar i cili, prej mbi një dekade, endet dyerve të drejtësisë për të rimarrë veturën e tij. Në fakt, ajo tashmë është shndërruar në një grumbull hekurishtesh të ndryshkura.
Gjykata ka vendosur pushimin e çështjes dhe kthimin e mjetit që tashmë është jashtë funksionit. Madje, veturës i janë grabitur pjesë këmbimi brenda pikës së bllokimit, gjë e cila thellon skandalin. Edhe kthimi te pronari ka mbetur peng i burokracive prej vitesh, pavarësisht vendimit të gjykatës që mbetet në fuqi.
Raste të tilla janë të shumta, që përbëjnë një skandal të vërtetë dhe ekspozojnë një faturë të rëndë dëmshpërblimesh për xhepin e taksapaguesve shqiptarë.
Nëse shikon në pikat e bllokimit, mjetet shpesh mbahen jashtë çdo kriteri, duke i ekspozuar ndaj degradimit të plotë. Makina të shndërruara në grumbuj hekurishtesh të ndryshkura, disa me pjesë të grabitura nga ata që kanë detyrë t’i ruajnë dhe një faturë dëmi që rëndon mbi taksapaguesit…
Top Channel