Inside Story/ “5 trashëgimtarët ndërruan jetë pa u mbyllur procesi”, drejtësia nuk bëri drejtësi për hallexhinjtë
Nën sfondin e një reforme mjaft të debatueshme, sot debati publik është fokusuar tek hallet e vetë sistemit, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ligji i vitit 2016 e ndërtoi pagën bruto nga paga referuese bazë dhe shtesat për grupin, vjetërsinë, drejtimin dhe vështirësinë. Baza u lidh me “pagën për funksion” të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ndaj çdo ndryshim i referencës në administratë ndikonte automatikisht te magjistratët. Skema nisi të zbatohej pas 1 janarit 2019.
“Ose ka ndryshuar në mënyrë të qëllimshme, ose ka ndryshuar për shkak të padijenisë, për shkak të mungesës së përfytyrimit mbi pavarësinë e gjyqësorit. Në 2016-n e lidhi fillimisht me pagat referuese në administratën publike, sekretari i përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm, gjë që, në mënyrë indirekte, buxhetin e gjyqësorit e vuri në varësi të një pushteti tjetër. Duhet thënë hapur kjo gjë: pushtetit ekzekutiv”, u shpreh avokati, Sokol Hazizaj.
“Sepse drejtori në Kryeministri është një funksion që sot është, nesër nuk është dhe, në fakt, sot nuk ka drejtor Kryeministria…”, shtoi Hazizaj.
Unioni i Gjyqtarëve e kundërshtoi ndryshimin. Me vendimin nr. 35, të vitit 2022, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, duke vlerësuar se formula e re ulte pagën referuese dhe pagën bruto, në kundërshtim me nenin 138 të kushtetutës. Ligjvënësi mund ta ndryshonte mekanizmin, por jo ta përdorte për uljen e pagës. Vendimi hyri në fuqi më 9 janar 2023.
Ligji nr. 33 I vitit 2023 lidhi bazën, me pagën e Presidentit, me koeficientin 0.36. Nga paga presidenciale 425 000 lekë rezultoi bazë 153 000 lekë, vetëm 570 lekë më shumë se më parë, por, u ndërpre lidhja me rritjen e pagave në administratë.
“Diskutimi ka qenë se sa do të jetë koeficienti i referencës te Presidenti, do të jetë 0.48 apo 0.46. Gjykata Kushtetuese e gjeti 0.48 të gabuar, tani duhet të shkojmë te 0.46.
Po kjo nuk do të thotë që do të shkojë me përmbarim pushteti gjyqësor, i cili ka kompetenca. Ia ka dhënë ligji kompetencat për të bërë vendime pezullimi, për të bërë ndjekje penale dhe ia ka dhënë për të zgjidhur hallet e njerëzve, jo për të zgjidhur hallet e veta”, u shpreh Ylli Manjani.
Ndërsa pagat e administratës dhe ajo e Presidentit u rritën, baza e magjistratëve mbeti 153 000 lekë. Sipas Unionit, formula e vitit 2016 do ta çonte në 231 000 lekë. Ligji i vitit 2023 nuk e uli shumën nominale, por, pengoi rritjen që do të sillte mekanizmi i mëparshëm. Kushtetuesja dhe magjistratët në tërësi e cilësuan këtë “ulje të fshehur”. Magjistratët pretenduan se ruajtja e vlerës reale të pagës varej tashmë nga vendimi periodik i ekzekutivit.
“Mënyra se si ndryshoi konceptualisht marrëdhënia financiare e gjyqtarit, nga një pushtet me buxhet të pavarur në një buxhet tërësisht të varur nga ekzekutivi, prishi balancat, raportet, kushtet, pra sot çdo lloj diskutimi që bëhet është bosh, çdo gjë fillon këtu”, u shpreh avokati Sokol Hazizaj.
“Dhe Venecia thotë që referimi duhet të jetë te zyrtarët e lartë të shtetit, jo te zyrtarët e ulët. Në 2016-n, referenca e gjyqtarit ishte një drejtor në Kryeministri; në 2023-shin u bë referenca te zyrtari i lartë i shtetit, Presidenti i Republikës, siç thotë Venecia”, u shpreh Ylli Manjani.
Më 20 mars 2025, Unioni i Gjyqtarëve iu drejtua sërish Kushtetueses. Ata pretenduan se në vlera absolute, pagat e tyre u ulën pasi rrogat e funksioneve të tjerë publikë u rritën. Kuvendi dhe qeveria argumentuan se baza prej 153 000 lekësh ishte pak më e lartë se ajo e mëparshme dhe se indeksimi dyvjeçar e mbronte nga zhvlerësimi.
“Por cinizmi është ky: për pagat e tyre shkojnë menjëherë dhe i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për hallet e njerëzve nuk e njohin Gjykatën Kushtetuese. E kanë injoruar edhe për mënyrën e marrjes së provave digjitale, që është një risi në jurisprudencën tonë, të cilën GJK-ja e ka futur me shumë kurajë. E injorojnë. Po të gjetën një memorie celulare, të grijnë ty dhe të gjithë ata me të cilët ke bashkëbiseduar ndër vite. GJK-ja e ndaloi këtë gjë, ndërsa ata vazhdojnë ta injorojnë…”, thotë Manjani.
Me vendimin nr. 15/2026, Kushtetuesja i dha pjesërisht të drejtë Unionit: neni 138 mbron jo vetëm shumën nominale, por edhe vlerën reale, objektivitetin dhe qëndrueshmërinë e pagës.
“Ata i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dakord, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që të bëhet i zbatueshëm, duhet të ketë një ligj. Nuk ka një zyrë përmbarimi që nxjerr kërbaçin dhe thotë: “Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe hajde t’i biem”. Nuk funksionon kështu. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e dinë shumë mirë këtë gjë”, u shpreh avokati.
“Por edhe ata janë pragmatistë në konceptin e tyre, sepse, në fund të fundit, po ta shikoni, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ose kthehen në vendin e tyre të punës së mëparshme, ose është detyrim ligjor që të shkojnë në një prej gjykatave në Republikën e Shqipërisë. S’ka asnjë gjë të keqe, madje duhet të jenë fare të qartë që e bëjnë edhe për vete”, u shpreh Sokol Hazizaj.
Përllogaritja aktuale nis nga baza 156.825 lekë. Me shtesat ligjore 90% për grupin e parë, 98% për grupin e dytë dhe 106% për grupin e 3-të. Paga pa vjetërsi apo vështirësi arrin rreth 298 mijë, 311 mijë dhe 323 mijë lekë bruto për 3 nivelet. Organet e drejtësisë kërkojnë referencën 236.425 lekë, të përbërë nga 222.425 lekë pagë për pozicionin dhe 14 mijë lekë shtesë për grupin. Gjykata shfuqizoi formulën me koeficentin 0.36 të pagës së Presidentit. Formulën ia la Kuvendit ndërsa efektet financiare duhej të llogariteshin nga 1 prilli 2023.
“Ky është objektivi apo propozimi, sepse pagat aktuale arrijnë në nivele që paga e një gjyqtari të shkallës së parë arrin në 336 mijë lekë në muaj, paga e gjyqtarit të shkallës së dytë është 360 mijë lekë në muaj dhe ata që janë në nivele të larta drejtuese, që përfshijnë organet drejtuese të gjyqësorit, arrijnë në 560 mijë lekë në muaj. Rritja që kërkojnë ka të bëjë me 50% më shumë sesa marrin aktualisht”, thotë Genc Gjokutaj.
Me referencën që kërkojnë magjistratët, kjo është tabela e pagave të reja që ato pretendojnë, që për grupi ne 3-të arrijnë 487 mijë lekë ose rreth 5 mijë euro. Me vendimin e njëanshëm, duke paraqitur listapgesat e reja në thesar, ata thonë se po zbatojnë formulën e vjetër të rikthyer nga Kushtetuesja, por, praktikisht pagat e tyre pësojnë rritje të konsiderueshme në vlerë.
Top Channel