Inside Story/ “5 trashëgimtarët ndërruan jetë pa u mbyllur procesi”, drejtësia nuk bëri drejtësi për hallexhinjtë
Shifra, debate, komisione, statistika, përplasje ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushtetit ekzekutiv.
Një betejë që është bërë më e ashpër pikërisht në muajt e fundit, atëherë kur vetë njerëzit e sistemit u ndjenë të cënuar tek interesi i tyre direkt: pagat!
Drejtësia kërkon pavarësi dhe kur vjen puna te dinjiteti i pagave, akuzojnë ekzekutivin se po synon të cënojë këtë parim themelor.
Megjithatë, në këtë betejë të fortë, ndërmjet dy pushteteve ka një faktor të rëndësishëm që është harruar nga të dyja palët. Më i rëndësishmi…
Njerëzit!
Njerëzit e thjeshtë të këtij shteti që prej vitesh tashmë zvarriten në dyert e gjykatave për të marrë drejtësi. Në glamurin e konferencave të jashtëzakonshme, premtimeve të mëdha dhe rrogave milionere që duan të marrin, apo duan të pengojnë, kurrizi i shqiptarëve është kthyer në një tabelë shahu për të lëvizur gurët protagonistët e këtyre betejave.
“Unë dua të vij sa më shpejt çështja, sepse nuk mbaj më. Të më vijë para sa më përpara, nuk mundem më të jetoj, jetoj kot!”, u shpreh denoncuesja Marie Shabani.
Marie Shabani është shembulli i qartë i dështimit të një sistemi, që mban peng interesin publik, por, kur vjen puna tek interesat e veta, nuk kursen asgjë!
Zonja që denoncon, në fillim të viteve 2010 bleu dy hyrje në Tiranë. Kursimet familjare të punës si emigrantë në Greqi, vendosën t’i investonin në atdhe, me dëshirën që fëmijët, nipat e mbesat më pas të ndërtonin të ardhmen në vendin e tyre. Fatkeqësisht, Maria ra pre e një plage të dhimbshme në Shqipëri.
“Në korrik të 2012 kam marrë dy hyrje për fëmijët në Tiranë. Lekët i kam paguar me bankë. Kur erdhi vajza me hallën, çelësat i kishim ne nga ndërtuesi. Nuk hapej dera. Nuk duhej të shkruhej te dera se kush hyn në këtë shtëpi lahet me gjak”, u shpreh Marie Shabani.
Shtëpitë që ajo kishte blerë, ndërtuesi i kishte shitur dy herë. Pavarësisht se kishte nisur të bënte dhe punime shtesë, personi që i kishte blerë së dyti, kishte ndryshuar bravat dhe kishte nisur të jetonte në ato hyrje.
“Në kushtet kur nuk u arrit dakordësia mes dy familjeve blerëse me mënyrë zakonore. Familja Shabani u detyrua që të ndiqte cështjen duke e hedhur në gjyq”, u shpreh avokati Gentian Rumano.
E në fakt, ashtu bëri dhe Maria e mbështetur nga familja me shpresën që do të merrte drejtësi dhe do të gëzonte pronat për të cilat kishte sakrifikuar një jetë të tërë për ti blerë.
Por rezultati kush ishte?
“Është një çështje që ka filluar që në vitin 2013. Gjykata në Shkallë të pare e gjykoi çështjen dhe i dha të drejtë. Gjykata e Apelit konstatoi një parregullsi nga ana e Gjykatës, që nuk ishte parregullsi”, u shpreh avokati Gentian Rumano.
Në këto momente që flasim ende nuk ka një zgjidhje për rastin e rëndë të Maries. Jo vetëm që nuk ka një zgjidhje, por drejtësia duket ende larg, pasi palët janë prej 3 vitesh në Apel dhe nuk ka asnjë datë se kur mund të rishqyrtohet rasti i saj.
“Reforma në drejtësi në Shqipëri ka dështuar në ofrimin e drejtësisë për qytetarët brenda një afati të arsyeshëm. Më përpara, gjyqet shkonin maksimumi deri në Gjykatë të Lartë 2-3 vjet në një çështje të veçantë. Sot gjyqet, me këtë trend që kanë, rrezikojnë të shkojnë mbi dy dekada, pra mbi 20 vjet”, u shpreh avokati Ervin Karanxha.
Nëse e merr në një nivel të ftohtë është thjeshtë një çështje gjyqësore që ka prekur një person, që fatkeqësisht ka qëlluar dhe gjatë kohës së vetingut dhe procesi është zvarritur në tejzgjatje. E kur vjen puna tek sfilitja e njerëzve, ish ministri i drejtësisë Ylli Manjani, bën një analizë të ftohtë që e vendos përballë pasqyrës sistemin e drejtësisë të mbërthyer pas përplasjes me qeverinë për pagat e tyre.
“Duan ta lidhin pagën e tyre me shpenzimet gjyqësore. Mirë pra, të presin të marrin vendime të formës së prerë, ashtu siç presin qytetarët me vite të tëra për të marrë vendimin e tyre. T’i presin edhe ata rrogat për aq kohë sa presin njerëzit për të marrë vendimin e formës së prerë: pesë, gjashtë, shtatë, tetë apo dhjetë vjet”, u shpreh avokati Ylli Manjani.
Mes atyre mijëra njerëzve që presin një vendim, është edhe Maria. Vuajtjet e saj në dyert e drejtësisë zgjasin prej 15 vitesh… Gjatë kësaj kohe, ajo humbi edhe djalin i cili ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare, duke u larguar nga kjo botë pa e gëzuar mundin e jetës.
“Më tha kam gjetur dy miqtë e mi që të interesohen, ti mos u mërzit më tha mua. Në datën 24 dhjetor, jep përfundimisht jetën.
Gjatë kësaj kohe më kanë ndodhur shumë fatkeqësi, sepse vajti një periudhë shumë e gjatë. Mu sëmur burri, ka pasur 4 thika në zemër, 3 në këmbë. Më sëmurët kunata me të gjitha sëmundjet, dhe para se të më vdiste djali, më bie mbesa me sëmundje të keqe. Që nuk e dime se sa do të jetë”, u shpreh Marie Shabani.
Dhimbja e kësaj nëne që humbi djalin pas betejës për drejtësinë që nuk e mori kurrë, është Apeli ulëritës për sistemin e gjyqësorit. Sot që djali nuk jeton, ajo shpreson së paku që nipërit e mbetur jetim të kenë strehën që u takon.
“Unë dua vetëm drejtësi, pasi jam shumë keq sot. Jam shumë keq, sepse kam fëmijën e djalit 12 vjeç. Kur më thotë ajo, nëna ça do të bëhet për qiranë. Çfarë mund të them sot që jam 69 vjeçe dhe kam dhimbje të fëmijës që më ka ikur”, u shpreh denoncuesja Marie Shabani.
“Në Gjykatën e Apelit ka 3 vite. E fundit fare ka 3 vite që presim radhën. Çfarë u bë kjo kjo radhë?”, u shpreh Marie Shabani.
Duke qenë një çështje e cila pret të shqyrtohet që nga viti 2023, nëse ecet rendin e kthyer në normalitet, Maria do të duhet që të presë dhe disa vite të tjera. Por, për një të moshuar vitet kushtojnë shumë.
“Gjyqtarët nuk kanë faj, sepse kanë shumë dosje, por duke pare fatkeqësinë e motrës sime, kemi dëshirë të na ndihmojnë, te e drejta gjithmonë. Ta rishikojë çështjen, sepse u bë 3 vite. Fiks tani në shtator 3 vite. Të na afrojë datën e rigjykimit”, u shpreh denoncuesi.
“Çështjet dhe çështjet gjyqësore nuk duhet të kthehen në trashëgimi, sepse vonohen me 10-12-15 vite”, u shpreh Rumano.
“Të humbësh djalin 40 vjeç nuk është e lehtë për mua. Unë jetoj kot, ta dini si fëmijët e mi. Jetoj kot! Jetoj për vajzën e djalit dhe për atë mbesë që unë kam me sëmundje të keqe, sepse mua nuk më ngroh më asgjë në këtë jetë”, u shpreh Marie Shabani.
Top Channel