Inside Story/ “Prokurorët dhe gjyqtarët po na çojnë në vetëgjyqësi”, qytetari zbulon sfilitjet prej dekadash për pronat

23/09/2026 21:36

Ardian Mlika, një qytetar nga Lezha, lufton prej dekadash për të gjetur të drejtën e pronës së tij. Toka që ai pretendon po shfrytëzohet nga persona të tjerë ndërkohë që denoncuesi ynë sillet nëpër seanca gjyqësore.

‘Me institucionet e drejtësisë kam shumë probleme. Kam vetëm një rast të fundit, që ka që nga 2015, me tjetërsim pronash, në pronën e familjarëve, që atë kohë deri më tani, ende nuk ka vendim gjykate’

“Në vitin 2015, duke bërë padi në prokurorinë e Lezhës. Hetimet zgjatën deri në vitin 2022. Më pas shkuam në Gjykatën e Lezhës. Kishim fletëthirrje çdo 15 ditë dhe e shtynin gjyqin. Arsyeja ishte mospresenca e avokatit, dëshmitarëve. Kam arritur në atë pikë, sa nuk shkoj më në gjykime, vetëm pres që të japë një vendim gjykata”, u shpreh denoncuesi, Ardian Mlika.

Qytetari Mlika, shpreh dhe një tjetër dëshirë që në fakt, në pamje të parë duket krejtësisht absurde dhe paradoksale. Ai shpreson që pala kundërshtare që ka paditur të mos marrë një dënim të rëndë, por të pranueshëm dhe minimal, në mënyrë që të mos e apelojë dhe saga të përfundojë…

“Shpresoj të jetë vendimi minimal ndaj të akuzuarit, sepse po e dha maksimal, duhet të pres dhe 10 vite të tjera. Do të shkojë në Apel. Shpresojmë të japë minimumin e dënimit, në mënyrë që të pranohet dhe nga pala tjetër, për ta pranuar. Nëse e padisim, kushedi kur do të mbarojmë”, u shpreh denoncuesi, Ardian Mlika.

Kjo dosje duket se thyen rekorde jo vetëm në gjykatë, por edhe në Prokurori ku hetimet kanë zgjatur plot 7 vite.

“7 vite, sepse sipas prokurorëve thonë se dosja ka shumë volum dhe do të merren në pyetje të gjithë të akuzuarit, dëshmitarët”, u shpreh denoncuesi, Ardian Mlika.

E njëjta ecuri vazhdon dhe në Gjykatë, pasi Mlika tregon se janë bërë 4 vite seanca dhe ende nuk janë pyetur dëshmitarët.

“Kanë kaluar në 2022 në gjykim themeli, kanë kaluar 4 vite e sa dhe akoma nuk janë pyetur dëshmitarët. Imagjino se çfarë besimi kam unë te gjykata, kur hetimi është mbyllur, ka një aktakuzë që supozohet se njëri ka ndarë arë me ligjin 7501 në zonë të mbrojtur. Nuk e di se ça do të gjykojnë. Nuk e kuptoj se çfarë do të gjykojnë”, u shpreh denoncuesi, Ardian Mlika.

Historia ka treguar që kur drejtësia nuk bën drejtësi, qytetarët priren të bëjnë vetëgjyqësi. Pra, nga drama në një dramë edhe më të rëndë…

“Imagjino sa këtu do arrijnë deri në atë pikë sa do të konfliktohemi me njerëzit. Nuk e di se si do e zgjidhim, por këtu është faji i prokurorëve dhe gjyqtarëve, sepse e zvarrisin”, u shpreh denoncuesi, Ardian Mlika.

Në fakt, këto janë pasojat e rënda të zvarritjes së drejtësisë dhe mosmarrjes në kohën e duhur të saj. Sot, shqetësimi nuk është vetëm Gjykata e Apelit që me hartën e re ngeli 1 e vetme…

Arkitektura e vjetër e sistemit kishte 6 gjykata apeli me juridiksion të përgjithshëm, 22 gjykata të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, 1 gjykatë apeli administrativ, 6 gjykata administrative të shkallës së parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit të Krimeve të Rënda. Pas ndryshimeve që solli harta e re gjyqësore, tashmë janë 20 gjykata gjithsej në të gjitha nivelet. Pra, ndryshimet shkrinë 18 gjykata.

“Po kjo është fare normale për ta kuptuar. Po përse e bënë? Për ta larguar qytetarin nga drejtësia, është fare e thjeshtë. Në momentin që e largon qytetarin nga drejtësia, pa dyshim, ku do ta gjejë zgjidhjen e problemit qytetari? Te qeveria. Po nuk është pak kjo për të thënë që kemi humbje të pavarësisë së gjyqësorit, sepse gjyqësori nuk jep përgjigje”, u shpreh avokati, Sokol Hazizaj.

Denoncimet e njerëzve të vuajtur të sistemit që sollëm më sipër dhe të dhënat zyrtare të stoqeve, janë faktet e forta për të cilat nuk ka pasur reflektim nga ata që janë të angazhuar në debatin për pagat e gjyqtarëve sot. Pavarësisht se sa shumë përplasen për interesat e tyre, qoftë gjyqtarët, qoftë qeveria, ata që harrohen janë njerëzit.

‘‘Tani, këta që e falimentojnë shtetin kërkojnë edhe rroga të larta. Kanë të drejtë t’i kenë rrogat e mira? Patjetër që po. Por puna e tyre nuk mund të matet detyrimisht me produktin, sepse, po u mat me produktin, ata janë si rruar e qethur’’, u shpreh avokati Ylli Manjai.

“Me atë çka ata shprehen deri më sot, transparencën e mënyrës së të bërit drejtësi, natyrisht që duhet ta kenë bërë prezente, që kanë garantuar deri më sot, me paga që nuk janë të ulëta në raport me shkallët e tjera të profesioneve, një rritje të kapacitetit institucional që përkthehet jo vetëm në sasi, në uljen e numrit të dosjeve, por në mënyrën se si bëhet drejtësia’’, u shpreh avokati, Genc Gjokutaj.

Top Channel