Paulo Dybala mbërriti në fundin e aventurës me Juventus teksa pas shtatë viteve pjesë e bardhezinjve sulmuesi u përshëndet me tifozerinë e tij në Allianz Stadium.
Argjentinasi nuk i mbajti lotët në lamtumirën e tij duke nxjerr në pah edhe faktin se ishin drejtuesit e klubit ata të cilët vendosën të ndërprisnin marrëdhënien me lojtarin nga Rosario. Ndërkohë, pas lotëve, Dybala ka përshëndetur nëpërmjet Instagramit tifozët e tij dhe ambientin bardhezi duke shpresuar se në këto sezone të mund t’i ketë dhuruar sadopak kënaqësi.
“Erdha te Juventus në moshën 21-vjeçare ashtu si numri që mbaja në fanellë, në këto vite jam rritur si lojtar dhe si njeri. Kanë qenë vite të bukura, me punë, gola dhe suksese. Por, jo gjithnjë ka shkuar siç e meritonim apo shpresonim. Gjithsesi, ia kemi dalë gjithnjë të ringrihemi dhe falë kësaj skuadre kam përmbushur objektiva të rëndësishëm. Kam gjetur lojtarë special dhe jam ndjerë gjithmonë i dashur nga tifozët, nga njerëzit dhe fëmijët në ambientin e Juventus. Këtë nuk do ta harroj kurrë. Me kalimin e kohës janë shtuar përgjegjësitë dhe gjithnjë jam munduar të tregohem në lartësinë e duhur. Kam qenë me ju për shtatë vite, shtatë vite të bukura por edhe me momente të vështira. Sot rrugët tona ndahen, por do t’iu mbaj gjithnjë në zemër sepse më keni dhuruar shumë dashuri dhe respekt. Shpresoj t’iu kem dhuruar sadopak kënaqësi”, mbyll mesazhin e tij Dybala./ SuperSport
Top Channel