Në Abissnet Superiore nuk ka kohë për pushim. Java e 31-të do të ndahet në dy ditë: tre ndeshje të premten dhe dy të shtunën.
Më 29 prill zbresin në fushë Laçi dhe Tirana (16:45). Dy skuadrat më të mira të kampionatit do të përballen për herë të fundit mes tyre në këtë sezon.
Bardheblutë e Orges Shehit kanë nevojë për një pikë në këtë ndeshje për të festuar titullin e 26-të në histori, si asnjë ekip tjetër shqiptar. Në të njëjtën ditë do luhen edhe derbi Partizani-Dinamo, takim që fillon në orën 19:45. Në të njëjtën orë të ditës së premte do të luhet edhe Teuta-Kukësi.
Shansi i fundit për Dinamon për të tentuar një sukses shprese, ndërsa “Demat” e Mehmetit dhe verilindorët e Longos (asnjë fitore në pesë ndeshjet e fundit) do të tentojnë maksimumin për objektivin Europë. Më pas dy takimet e së shtunës (30 prill).
Kastrioti pret Egnatian në Kamzë, me synimin për të siguruar fitoren e shtatë radhazi. Ndërkohë, Vllaznia pret Skënderbeun në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë nuk fitojnë në kampionat prej shtatë ndeshjes, teksa tani rrezikojnë edhe vendin e pestë, me Kastriotin që ndodhet vetëm dy pikë larg.
Djemtë e Plorit kanë një mundësi të mirë për t’u rikthyer te tre pikët, ndërsa korçarët e Gegës vetëm mrekullia dhe matematika i mban ende në lojë për të qëndruar në elitë. Të dy takimet e ditës së shtunë do të nisin në orën 16:45.
Top Channel