Dita e 13-të e luftës në Ukrainë/ Rusia kërcënon Europën me “armën e fshehtë”! Biden shpall ndalimin e naftës dhe gazit rus në SHBA

08/03/2022 21:00

Të martën në mëngjes filloi evakuimi i qytetarëve nga Sumy, një qytet me 260 mijë banorë në veri-lindje të Ukrainës. Autobusët e parë u nisën falë një armëpushimi të përkohshëm që u arrit mes Ukrainës dhe Rusisë, për krijimin e një “korridori sigurie” që ndihmon qytetarët të shkojnë në Poltava, 170 kilometra më në jug të vendit. Dy delegacionet u takuan të hënën për të zhvilluar raundin e tretë të bisedimeve, por ky takim nuk solli një rezultat pozitiv, siç edhe pritej. Për momentin, zgjidhja diplomatike mbetet shumë larg.

22:49 Ushtria ruse ka humbur 10% të aseteve ushtarake

Një zyrtar i lartë amerikan ka vlerësuar se ushtria ruse ka humbur rreth 10% të aseteve ushtarake të përdorura në pushtimin e Ukrainës. Sipas tij, pajisjet e humbura përfshijnë tanke, avionë, artileri dhe mjete të tjera ushtarake. Kjo është afër dyfishit të humbjeve që u raportua javën e kaluar,  kur u vlerësua se Rusia kishte humbur 3% deri në 5% të aseteve të saj ushtarake.

21:03 Zelensky falenderon presidentin Biden për ndalimin e naftës ruse në SHBA

Presidenti ukrainas, Volodymyr falenderoi homologun e tij amerikan Joe Biden, i cili ndaloi importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrgurit në SHBA.“Faleminderit për udhëheqjen personale të SHBA-së dhe për goditjen në zemër të makinës luftarake të Putinit dhe ndalimin e naftës, gazit dhe qymyrit nga tregu amerikan”, shkroi Zelensky në Twitter.

20:00 Sekretari amerikan i Shtetit Blinken, takim me presidentin francez Macron më shumë se 1 orë

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris. Takimi i tyre, i cili nisi rreth orës 18:05 deri në 19:18 me orën lokale, vjen një ditë pasi Presidenti Joe Biden zhvilloi një bisedë të përbashkët me Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin britanik Boris Johnson.

Macron foli më herët me Scholz dhe presidentin kinez Xi Jinping. Blinken shkroi në Twitter se ishte në Paris, “për të vijuar punën në solidaritet me aleatët francezë për të kundërshtuar kërcënimet që agresioni i Kremlinit paraqet për demokracinë dhe paqen në Evropë”.

“Udhëheqja e Francës ka qenë vendimtare për përgjigjen e unifikuar dhe të paprecedentë të Evropës ndaj luftës së Putinit”, shkroi Blinken.

18:40 Fjalimi i Zelenskyt prek deputetët! Ngrihen në këmbë dhe e duartrokasin

Deputet e Mbretërisë së Bashkuar janë emocionuar nga fjalimi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Dhomën e Përfaqësuesëve këtë të martë. Pasi Zelensky tha se Ukraina do të vazhdojë të mbrojë çdo pjesë të territorit, disa prej deputetëve u çuan në këmbë dhe e duartrokitën presidentin.

18:16 Biden: Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Putinin

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të jetë kurrë i suksesshëm në pushtimin e të gjithë Ukrainës. Biden tha se Putini mund të vazhdojë luftën e ashpër, por Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për të.  Ai shtoi se nëse SHBA nuk i përgjigjet sulmit rus, kostoja e lirisë për popullin amerikan do të jetë e madhe.

18:11 Zelensky para deputetëve britanikë: Ne nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy ka folur para deputetëve britanikë përmes një videoje ku i tregon se vijon lufta, por nuk do të dorëzohen për asnjë moment. Deputetët britanikë qëndruan në këmbë duke duartrokitur para se Zelensky të niste fjalimin. Presidenti ukrainas iu drejtua deputetëve duke thënë: “Po ju flas si qytetar, si president i një shteti të madh që ka një ëndërr”. Në fjalën e tij, e krahasoi luftën në Ukrainë me luftën e britanikëve kundër nazistëve gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.

17:43 Biden shpall ndalimin e naftës dhe gazit rus në Amerikë!

Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur ndalimin e plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Biden tha se masa u mor si një goditje e fortë që populli amerikan do t’i japë Rusisë, për ta ndëshkuar atë për luftën në Ukrainë.

17:34 Drejtori i CIA-s: Katër parashikimet që Putini i llogariti keq në luftën kundër Ukrainës

Drejtori i CIA-s, Bill Burns është shprehur se presidenti rus Vladimir Putin është i vendosur që të pushtojë Ukrainën, por duket se parashikimet e tij për ecurinë e luftës, nuk i kanë dalë siç i priste. Sipas Burns, Putini besonte se me përdorimin e forcës, Ukraina do të pushtohej pasi ishte e dobët dhe mund të frikësohej lehtë. Së dyti, sipas tij, Putin besonte se europianët, sidomos francezët dhe gjermanët, ishin të shpërqendruar dhe e urrenin të rrezikonin duke ndërhyrë.

17:21 SHBA ka pranuar deri më tani rreth 700 refugjatë nga Ukraina

Nga rreth 6500 refugjatë që janë pranuar në SHBA nga tetori deri në shkurt, 692 prej tyre ishin nga Ukraina. Shoqatat e emigrantëve i kanë kërkuar administratës së presidentit amerikan Joe Biden të lehtësojë rregullat për marrjen e ukrainasve në Shtetet e Bashkuara, pasi numri i personave që po largohen nga Ukraina po shkon në dy milionë. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i tha CNN-it të dielën se SHBA është e gatshme të pranojë refugjatë.

17:03 61 spitale dhe 200 shkolla në Ukrainë dalin jashtë funksionit

61 spitale në Ukrainë nuk janë më funksionale, për shkak të sulmeve nga forcat ruse.Ministri i Shëndetësisë ukrainas, Viktor Lyashko është shprehur se shkatërrimi i këtyre spitaleve ka futur në kolaps shëndetësinë, pasi me qindra persona janë të plagosur për shkak të luftës.Më herët gjatë ditës, ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov tha se sulmet ruse kishin shkatërruar më shumë se 200 shkolla dhe 1,500 ndërtesa banimi.

17:03 Gjermania nis hetimet për krimet e luftës në Ukrainë

Prokurori federal i Gjermanisë ka nisur një hetim për krimet e luftës të kryera nga trupat ruse në pushtimin ndaj Ukrainës. “Zyra e Prokurorisë Federale ka hapur një të ashtuquajtur hetim strukturor në lidhje me konfliktin e armatosur ndërkombëtar midis Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet në një deklaratë dërguar CNN.

16:45 KE me plan për ta bërë Europën të pavarur nga nafta ruse

Komisioni Europian ka propozuar një plan për ta bërë Europën të pavarur nga nafta ruse. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ka thëne se Europa do të heqë varësinë ndaj naftës ruse në 2/3 këtë vit, ndërsa deri në vitin 2030, do të jetë plotësisht e pavarur nga nafta ruse.

14:59 Lufta në Ukrainë, mijëra refugjatë dynden në Gjermani dhe Francë

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet gjermane dhe franceze raportojnë se mijëra refugjatë ukrainas janë dyndur në Gjermani dhe Francë. Gjermania regjistron mbi 64,000 refugjatë nga Ukraina Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë më shumë se 64,000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani, më shumë se 14,310 refugjatë nga një ditë më parë. Ndërsa ministrja franceze e deleguar për Shtetësinë Marlène Schiappa ka raportuar se gati 5,000 ukrainas kanë mbërritur në vend Francë.

14:36 Ukraina akuzon Rusinë për shkeljen e armëpushimit

Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzon Rusinë për shkeljen e armëpushimit ditën e sotme, teksa bombardoi korridorin humanitar nga Zaporizhzhia në qytetin e Mariupolit. Ka qenë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko ai që ka hedhur këtë akuzë me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në Twitter. Sipas tij, pasi zyrtarët njoftohen se ishin rrugës autobusët që do të dërgonin ndihma humanitare në qytet dhe do të evakuonin civilët në Zaporizhzhia, zyra e presidentit ukrainas informohet për granatimet në këtë rrugë.

14:22 Zelensky nxjerr pamjen nga apartamenti: Nuk fshihem, s’kam frikë

“Jam këtu, jam në Kiev në rrugën Bankova. Nuk po fshihem, nuk kam frikë nga asnjeri. Do të qëndroj këtu për aq kohë sa do të duhet që të fitojmë luftën tonë patriotike”, me një video që tregon saktësisht vendndodhjen e tij, të xhiruar nga ai vete, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sfidoi hapur rusët, duke i treguar se nuk druhet prej tyre. Ish-komediani i kthyer në presidentin e Ukrainës, padyshim nuk kishte menduar se do të përballej me një situatë të tillë gjatë kohës së mbajtjes se këtij posti.

13:51 Lufta Ukrainë-Rusi/ Presidenti i Kinës bën thirrje për bisedime paqeje

Presidenti kinez Xi Jinping e ka përshkruar situatën në Ukrainë shqetësuese dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale” nga të dyja palët. Gjatë një takimi virtual me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz,  Xi tha se prioriteti duhet të jetë parandalimi i daljes jashtë kontrollit të situatës në Ukrainë dhe tha se të tre vendet duhet të mbështesin bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

12:43 Gjiganti i naftës Shell: Do të ndaloj të gjitha blerjet e naftës së papërpunuar ruse

Një ndër kompanitë më të mëdha të naftës Shell, ka deklaruar se do të ndalojë menjëherë të gjitha blerjet e naftës së papërpunuar ruse dhe do të mbyllë stacionet e saj të shërbimit, karburantet e aviacionit dhe operacionet e lubrifikantëve në Rusi. Vendimi i kësaj kompanie vjen pasi disa kompani të mëdha ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia pas pushtimit të saj në Ukrainë.

12:26 Autoritete ukrainase: Bombardohet rruga e evakuimit të Mariupolit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko  ka njoftuar se forcat ruse po sulmojnë korridorin humanitar midis qytetit dhe Zaporizhzhia. Ai tha se 8 kamionë dhe 30 autobusë janë rrugës për të dërguar ndihma humanitare në qytet dhe për të evakuuar civilët në Zaporizhzhia. Më herët, kreu i rajonit, Oleksiy Kuleba tha se vazhdon evakuimi i popullsisë së Irpin përmes fshatit Romanivka pa probleme. Ky është evakuimi i parë nga një qytet ukrainas përmes një korridori humanitar të rënë dakord me Rusinë.

11:23 Organizata HRW: Rusia ka shkelur detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar

Organizata Human Rights Watch (HRW), me bazë në SHBA tha se me sulmin  e të dielës në Irpin, Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar  gjatë bombardimeve të qytetit. Për disa orë më 6 mars 2022, forcat ruse bombarduan një kryqëzim në një rrugë që qindra civilë po përdornin për të ikur nga pushtimi rus në Ukrainën veriore drejt Kievit. Komentet vijnë pasi tetë civilë u vranë gjatë fundjavës teksa po largoheshin nga avancimi i ushtrisë ruse. Agjencia ka bërë thirrje për të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për të larguar popullsinë civile nga afërsia e luftimeve ose objekteve ushtarake.

11:02 Kreu i rajonit në Kiev: Evakuimi i Irpin është në proces

Kreu i rajonit, Oleksiy Kuleba tha se vazhdon evakuimi i popullsisë së Irpin përmes fshatit Romanivka. Ai tha se që nga ora 9:30 (07:30 GMT) më shumë se 150 njerëz ishin evakuuar. “Agresori po pengon evakuimin e popullsisë. Brenda një dite, ata që mundën të mbërrinin në vendin e grumbullimit u nxorrën vetë nga Irpin. Tani rrethi po përgatitet për një evakuim në shkallë të gjerë dhe dërgimin e ndihmave humanitare,” shtoi ai. Irpin është një qytet në perëndim të Kievit, i cili ka pasur luftime të ashpra ditët e fundit nga forcat ushtarake ruse.

10:49 Lufta në Ukrainë mund të rrisë urinë në botë

Kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë mund t’i rrisë çmimet globale të ushqimit dhe të ketë ndikim katastrofik për më të varfrit në botë. Ukraina dhe Rusia janë dy eksportuese kryesore të produkteve ushqimore bazë dhe lufta tashmë ka goditur prodhimin. Beasley tha se situata rrezikon të shkaktojë uri në mesin e më shumë njerëzve. Rusia dhe Ukraina eksportojnë rreth një të katërtën e grurit në botë dhe gjysmën e produkteve të lulediellit, si farat dhe vaji.

11:51 Komisioni Evropian sanksione të reja kundër Rusisë dhe Bjellorusisë

Komisioni Evropian ka përgatitur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe Bjellorusisë që do të godasë oligarkë dhe politikanë të tjerë rusë, si dhe tre banka bjelloruse. Reuters ka mësuar se sanksionet, do të ndalojnë tre banka bjelloruse nga sistemi bankar Sëift dhe do të shtojnë më shumë oligarkë dhe politikanë rusë në listën e zezë të BE-së. Po ashtu, Reuters shkruan se do të ndalohen eksportet nga BE-ja të teknologjisë detare në Rusi dhe do të përfshijë udhëzime për monitorimin e kriptomonedhave për të parandaluar përdorimin e tyre dhe për të shmangur sanksionet.

10:42 Rusia kërcënon se do të ndalojë furnizimet me gaz të Evropës

Moska ka kërcënuar se do të mbyllë furnizimin me gaz në Gjermani pasi SHBA i kërkoi aleatëve të saj evropianë të konsiderojnë ndalimin e importeve ruse të naftës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Zëvendës-kryeministri rus Alexander Novak tha se refuzimi i naftës ruse do të çonte në pasoja katastrofike për tregun global. Gjithashtu ai bëri me dije, në një fjalim në televizionin shtetëror rus,  se çmimi i naftës mund të rritet në më shumë se 300 dollarë për fuçi. Kërcënimi i Novak i referohet vendimit të Gjermanisë muajin e kaluar për të ndalur certifikimin e Nord Stream 2, një gazsjellës dytësor.

10:03 Refugjatët nga Ukraina, 141,500 njerëz kaluan kufirin polak brenda 24 orëve

Agjensia e Gardës Kufitare polake, ka njoftuar se 1.2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni që nga fillimi i luftës. Me anë të një postimi në “Twitter”, agjensia tha se vetëm të hënën, 141,500 njerëz kaluan kufirin, pak më pak se rekordi ditor i së dielës prej 142,300. Po ashtu, thuhet se rreth 90% e njerëzve që ikin janë shtetas ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë. Polonia ishte tashmë shtëpia e shumë ukrainasve dhe shumë kanë ardhur për të qëndruar me familjen ose miqtë këtu. Mijëra polakë po presin refugjatë edhe në shtëpitë e tyre, dhe sot parlamenti i Polonisë do të debatojë legjislacionin e urgjencës për të kompensuar ata që bëjnë shpenzimet e tyre shtesë.

09:32 Rusia premton sërish, hap korridore të reja humanitare

Ministria e Mbrojtjes ruse ka njoftuar se janë haput korridoret humanitare për të lejuar evakuimin e civilëve në Ukrainë. Sipas saj, koridoret janë hapur në qytetet Cherhihiv, Sumy, Kharkiv, Mariupol dhe kryeqyteti i Kievit. Rusët për të katërtën dit premtojnë hapjen e sigurt të korridoreve humanitare, megjithatë 3 herët e kaluara kanë dështuar në procesin e evakuimit të civilëve. Më herët, Shtabi Koordinues Ndërdepartamental për Reagimin Humanitar në Ukrainë tha se  vetëm Mariupol dhe Sumy  kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.

09:25 Banka Botërore miraton mbi 720 milionë dollarë për Ukrainën

Banka Botërore ka njoftuar se ka ofruar një fond prej 723 milionë dollarësh në ndihmë të Ukrainës. Sipas saj, ky financim emergjent i vjen në ndihmë Ukrainës që të paguajë pagat dhe pensionet e sektorit publik. Pjesë e këtij financimi janë edhe shtetet si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Suedia, Japonia, Danimarka, Letonia, Lituania dhe Islanda. Banka tha se po vazhdon të punojë për një paketë tjetër mbështetjeje prej 3 miliardë dollarësh në muajt e ardhshëm për vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA