Dita e 11-të e luftës! Moska po përgatit sulmin mbi Odesa, Zelensky bisedon me Biden

06/03/2022 20:30

Kjo e diel ka shënuar ditën e njëmbëdhjetë të luftës që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Përparimi i ushtrisë ruse është ngadalësuar ditët e fundit, por akoma nuk është e qartë se kjo ka ndodhur si pasojë e rezistencës ukrainase apo ndryshimit të një strategjie ushtarake veçanërisht pas dështimeve të para të ushtrisë ruse. Në Mariupol, në juglindje të vendit, vazhdon rrethimi i qytetit, i cili prej gati një jave është pa ujë, pa energji elektrike dhe pa ngrohje. Armëpushimi i shpallur të shtunën nga Rusia nuk u respektua nga ushtria ruse, ndërsa evakuimi i njerëzve nga qyteti ishte i pamundur. Në veri të vendit, ushtria ruse po përpiqet të rrethojë Kievin, ndërsa mësohet se konflikti është përshkallëzuar në periferi të qytetit. Sulmet dhe bombardimet ndaj popullatës civile vazhdojnë edhe në pjesën tjetër të vendit.

22:27 Qindra mjekë ukrainas zhvillojnë kurs online të kirurgjisë së luftës

Qindra mjekë ukrainas kanë marrë pjesë në një kurs online të kirurgjisë së luftës. Kursi, me bazë në MB, u organizua nga Dr. David Nott, i cili ka mësuar kujdesin shëndetësor të konfliktit në të gjithë botën, dhe nga Dr. Henry Marsh, një neurokirurg me lidhje të thella me Ukrainën. Ai u zhvillua në një telefonatë 12-orëshe në Zoom, gjatë së cilës Dr Nott dhe Dr Marsh kaluan nëpër balistikë dhe djegie, neurokirurgji dhe kirurgji vaskulare.

22:03 Kryetari i qarkut të Kievit: Tetë civilë të vdekur sot në Irpin

Kryebashkiaku i Irpin Oleksandr Markushyn ka njoftuar se tetë civilë u vranë në mes të një evakuimi në Irpin, një lagje në perëndim të Kievit, pas bombardimeve intensive të së dielës. Me anë të një deklaratë të dielën në Telegram, Markushyn tha se rusët hapën zjarr përgjatë një ure, ndërkohë që qytetarët ukrainas po evakuoheshin në Irpin. “Një familje vdiq, para syve më vdiqën dy fëmijë të vegjël dhe dy të rritur,” tha Markushyn.

21: 31 TikTok pezullon përkohësisht disa shërbime në Rusi

TikTok ka njoftuar ditën e sotme se pezullon disa funksione të tij në Rusi. Në kuadër të ligjit të ri të lajmeve të rreme në Rusi, TikTok pezullon transmetimin e drejtpërdrejtë dhe përmbajtjen e re në shërbimin e videove. Gjithashtu, kompania njoftoi se momentalisht nuk do të preket shërbimi i mesazheve brenda aplikacionit.

21:07 Apeli i ish-kryeministres ukrainase: Mbyll qiellin mbi Ukrainën

Ish-kryeministrja e Ukrainës Julia Tymoshenko u ka bërë thirrje aleatëve të vendit që të “mbyllin qiellin” mbi Ukrainën. Me atë të një interviste për BBC, ajo tha se Ukraina vlerësoi sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga fillimi i pushtimit, por tha se momentalisht Ukraina kërkon ndihmë të mëtejshme. “Ajo ndihmë është duke mbyllur qiellin mbi Ukrainë,” tha Tymoshenko duke shtuar se kjo gjë mund të bëhet përmes koalicioneve të vendeve përreth Ukrainës.

20:39 Sulmi në centralin atomik, Putin: Ishte provokim/ Rusët “shpërthejnë” kundër presidentit

Përpjekjet për ta bindur Vladimir Putinin t’i japë fund mësmyjes, vazhdojnë intensivisht.Presidentit rus i telefonoi edhe shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, i cili këmbënguli me forcë të mbyllen sa më parë luftimet dhe të garantohet në mënyrë të veçantë siguria e komplekseve bërthamore, kompromentimi i së cilës nuk do të përbënte rrezik vetëm për Ukrainën por për të gjithë Europën.

20:21 Pasojat e luftës në Rusi, dorëhiqet shefi i Teatrit Bolshoi

Dirigjenti Tugan Sokhiev ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i tij si drejtor muzikor dhe kryedirigjent i teatrit, në Teatrin Bolshoi me famë botërore në Moskë. Gjithashtu, Sokhiev deklaroi se do të tërhiqej nga pozicioni i tij si drejtor muzikor i Orkestrës Kombëtare të Toulouse Capital. Ai është shprehur se ka qenë gjithmonë kundër konflikteve në çdo formë dhe se ishte shumë krenar që vinte nga një vend kaq i pasur kulturor si Rusia.

20:19 Ukrainasit kanë plan “vazhdimësie të qeverisë” nëse Zelensky vritet

Lufta Ukrainë-Rusi vazhdon duke shtuar numrin e viktimave dhe rrezikun në Ukrainë. Presidenti i Ukrainës është një ndër objektivat kryesorë të qeverisë ruse. Zelensky ka vendosur të qëndrojë në Ukrainë dukë e mbrojtur vendin e tij së bashku me ushtarët dhe popullin. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tregoi se ukrainasit e kanë një plan nëse Zelensky vritet, por nuk dha detaje.

20:00 Anëtarët e Kongresit: Të lehtësohet transferimi i avionëve luftarakë në Ukrainë

Anëtarët e Kongresit i bëjnë thirrje administratës së Biden që të lehtësojë transferimin e avionëve luftarakë në Ukrainë. Ata kanw qenw republikani i Teksasit, Michael McCaul, një republikan dhe anëtar i rangut të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

19:41 IAEA: Centrali bërthamor Zaporizhzhia funksionon nën urdhrat rusë

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se centrali bërthamor i Zaporizhzhia, funksionon nën urdhrat e Rusisë. Sipas tij, Ukraina e ka informuar se stafi i rregullt është ende duke operuar centralin, por ata janë nën urdhrat e komandantit të forcave ruse atje. Përpos kësaj, rregullatori bërthmor i vendit ka njoftuar se ishte në gjendje të konfirmonte se nivelet e rrezatimit atje mbeten normale.

19:01 Evakuimi në Irpin, vriten gjatë rrugës 3 pjestarë të një familjeje

Tre anëtarë të një familjeje, nëna dhe dy fëmijët, janë gjetur të shtrirë të vdekur në trotuar ndërsa janë përpjekur të largoheshin nga Kiev për tu evakuar në Irpin. Ka qenë një fotograf i New York Times ai i cili ka treguar situatën, teksa ushtarët ukrainas, pasi nuk kanë parë shenja jete tek tre pjestarët e tjerë, përpiqen t’i shpëtojnë jetën babait të plagosur të kësaj familjeje.

19:02 Ukrainë, 20,000 qytetarë të huaj kanë aplikuar për të marrë pjesë në luftë

Ministrit i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ka bërë me dije se gati 20,000 qytetarë të huaj kanë aplikuar për të shkuar në Ukrainë për të luftuar. Në një konferencë në internet të dielën, Kuleba tha se vullnetarët vijnë nga 52 vende të ndryshme të botës. Por, ai tha se nuk do të përmendë shtetet nga cilat kanë ardhur aplikimet për të marrë pjesë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.

18:13 OKB: Më shumë se 360 civilë të vrarë në Ukrainë

Lufta Rusi-Ukrainë vijon të shkaktojë shumë viktima dhe të plagosur. Shifrat ndryshojnë pasi sulmet vijojnë sërish duke përfshirë zonat e banuara. Nuk dihet ende numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve, pasi qeveria ukrainase akoma nuk ka publikuar statistika përfundimtare.

17:47 Zbardhen detajet e bisedës telefonike, ja çfarë u tha mes Macron-Putin

Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike për afro dy orë për çështjen më të nxehtë momentalizht, luftën në Ukrainë. Pas bisedës së tyre telefonike për afro dy orë, zbardhim disa detaje të bisedës mes  Putin dhe Macron. Mësohet se Macron i ka kërkuar Putinit që t’i jepte fund sulmit rus dhe të garantonte sigurinë e vendeve bërthamore të Ukrainës pasi granatimet shkaktuan një zjarr në vendin e uzinës bërthamore të Zaporizhzhia.

17:28 Lufta Ukrainë-Rusi, ja shqetësimi më i madh i Mbretërisë së Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar sepse disa trupa britanike mund të përpiqen t’i bashkohen betejës në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërive të Bashkuara tha se është e vështirë që të mbahen shënime për stafin ushtarak dhe se nuk beson se ka ndonjë shembull të personelit ushtarak britanik që mungon për të luftuar në Ukrainë. Më herët, shefi i njerëzve të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Gjenerali James Swift, ka deklaruar se personeli ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar “nuk ishte i autorizuar” të udhëtonte për në Ukrainë.

17:07 Rusët “do të fshijnë” Odesën/ Zelensky jep alarmin: Bombardimet më të tmerrshme

Rusia po përgatitet për bombardime shkatërrimtare në Odesa, paralajmëroi presidenti ukrainas Volodymir Zelensky gjatë një fjalimi të mbajtur sot. Qyteti i njohur port në brigjet e Detit të Zi duket se do të përballet me të gjithë furinë e ushtrisë ruse, që nuk arriti të merrte ashtu sic shpresonte, kryeqytetin Kiev.

16:50 “Putini nuk përfaqëson të gjithë rusët”/ Mijëra vetë në rrugë kundër pushtimit

“Stop luftës së Putinit”, “Vendosni paqe” ishin mesazhet në disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit në Hamburg të Gjermanisë, që ashtu si dhjetëra mijëra njerëz të tjerë në mbarë Europën, dolën sërish nëpër rrugë për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën.

16:52 Martesë në frontin e parë të luftës!

Dy anëtarë të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, kanë zgjedhur që të martohen në frontin e parë të luftës.

16:41 365 civilë ukrainas të vrarë deri më tani, qindra të plagosur

Të paktën 364 civilë janë konfirmuar të jenë vrarë në Ukrainë, në 11 ditë pushtim nga trupat ruse. Sipas OKB-së, deri më tani janë plagosur 759 të tjerë, edhe pse gjasat janë që shifrat të jenë më të larta.

16:24 Blinken: SHBA mund të ndalojë importin e naftës ruse

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha këtë të diel se SHBA po punon me aleatët e saj në Evropë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse.

Rreth 2,500 persona u arrestuan këtë të diel, pasi dolën në protestë kundër kundër operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainë. CNN raporton policia ka përdorur elektroshokë dhe dhunë ndaj protestuesve.

14:30 Putin dhe Macron zhvillojnë një tjetër bisedë telefonike

Presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon bisedime me homologun e tij francez Emmanuel Macron, raporton televizioni shtetëror rus. Herën e fundit që dyshja folën, në fillim të kësaj jave, pala franceze tha se nuk kishte pasur asgjë inkurajuese në bisedën e tyre. Kjo vjen pas bisedës që Putin pati Erdogan, për të cilën raportuam pak më herët, në të cilën lideri turk i kërkoi atij të shpallte një armëpushim në Ukrainë.

14:17 Krizë refugjatësh, 1.5 mln njerëz janë larguar nga Ukraina

Më shumë se 1.5 milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar drejt vendeve fqinje në 10 ditë. Shifrën e konfirmoi komisioneri i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi. Në një postim në Twitter, Grandi e quajti si “kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore”. Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gjermanisë i tha CNN se rreth 38,000 njerëz kanë mbërritur në vend nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

13:53 Putin: Lufta ndaj Ukrainës mbaron vetëm nëse plotësohen dy kushte!

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se lufta do të përfundojë vetëm nëse Ukraina pushton së luftuari. Në një deklaratë për shtyp, Kremlini tha se kushti i dytë që Rusia të ndalojë operacionin e saj ushtarak, është që të përmbushen kërkesat e saj.

13:39 “Ngrihuni e bjerini”, senatori amerikan thirrje rusëve: Ndaloni marrëzinë!

“Ngrihuni dhe ndalojeni këtë marrëzi me cdo mënyrë që të mundni”; pas thirrjes polemizuese për të vrarë Vladimir Putin, senatori republikan në SHBA, Lindsey Graham iu drejtua sërish rusëve pas një lidhjeje me Zoom që pati me kreun e shtetit ukrainas Volodymir Zelensky, duke i kërkuar të ngrihen kundër luftës së pakuptimtë të presidentit te tyre.

13:16 Lufta godet turizmin turk: Na ikën turistët, humbje “kolosale”

Pushtimi i Ukrainës i dha një goditje të re ekonomisë së gjunjëzuar turke, e cila varet ndjeshëm nga të dyja këto vende përsa i takon të ardhurave te saj nga turizmi. Të dëshpëruara, agjensitë turistike vendase thonë se po përgatiten për humbje të mëdha; ritmi i rezervimeve është ngadalësuar ndjeshëm përpara sezonit të jetik veror për këtë industri, e cila ende nuk ka arritur ta marrë veten siç duhet nga pandemia e koronavirusit.

12:13 Rusia, bombardime “shfarosëse” mbi Ukrainën

Konflikti Rus-Ukraina ka hyrë në ditën e 11-të, pa shenja qetësimi, Moska po përgatit sulmin mbi Odessa ndërsa armëpushimi i njoftuar një ditë më parë për hapjen e korridoreve humanitare, dështoi, duke shkaktuar kaos në Mariupol ku njerëzit u detyruan të kthehen mbrapsht.

13:06 Kryeministri izraelit takon Putin/ Çfarë folën “kokë më kokë”

Në një vizitë të papritur, kryeministri i Izraelit Naftali Bennett zbarkoi në Moskë për bisedime urgjente me presidentin Vladimir Putin, e me pas niset drejt Berlinit për tu takuar me kancelarin Olfa Scholz. Shteti hebre vë kështu fort në lëvizje motorët e diplomacisë, me shpresën e një ndalimi të luftimeve në Ukrainë. Agjensia e lajmeve Interfax pohoi se situata e Ukrainës ka përbërë boshtin e bisedimeve, por nuk do të jepet njoftim nga Kremlini. Zyra e Bennett e konfirmoi gjithashtu vizitën. Nga qarqet qeveritare në Jeruzalem thuhet, se bisedimet në Moskë kanë zgjatur tri orë.Bennett është koordinuar me SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën dhe ende „është në komunikim të vazhdueshëm me Ukrainën”.

13:04 SHBA përgatit avionët ushtarakë!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi më shumë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën në telefonatën e tij me shefin e shtepisë së Bardhë Joe Biden, të cilit lideri ukrainas ia përcolli qartë nevojën për asistencë sigurie dhe financiare të vendit të tij.

11:59 “Ja si do e mposhtim Kremlinin”, Johnson nxjerr planin 6 pikësh!

Boris Johnson ka hartuar një plan 6 pikësh për mposhtjen e Vladimir Putinit, një përpjekje kjo që dëshmon veç të tjerash edhe sesi kryeministri britanik po kërkon që vendi i tij, i shkëputur nga Bashkimi Europian, të zërë një vend qendror në reagimin global ndaj tmerrit të luftës në Ukrainë. Shefi i ekzekutivit në Londër këmbëngul që e gjithë bota të bashkohet me planin e tij për zmbrapsjen e agresionit rus.

11:54 Blinken shkon në kufi me Ukrainën: Nuk do e lëmë Rusinë të marrë frymë!

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u takua në kufirin e Ukrainës me Poloninë me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, duke i përcjellë një mesazh të qartë Moskës mbi përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë.  Mes masash të rrepta sigurie, takimi u mbajt në një tendë ku vazhdimisht mbërrinin refugjatë, shumica gra e fëmijë. Blinken tha se ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga e gjithë bota për Ukrainën kundër sulmit rus, kundër luftës që Rusia zgjodhi të niste, kundër asaj që po ndodh çdo ditë me civilët në mbarë vendin si pasojë e këtij agresioni.

11:39 11-vjeçari kalon i vetëm nga Ukraina në Sllovaki, çfarë mbante në dorë

Një djalë nga Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës, u cilësua si “një hero i natës” nga autoritetet sllovake pasi kaloi i vetëm kufirin e Ukrainës për në Sllovaki. 11-vjeçari mbante një çantë shpine, një qese plastike, një pasaportë dhe kishte një numër telefoni të shkruar në dorën e tij, sipas Ministrisë së Brendshme të Sllovakisë.

11:31 Zelenskiy diskuton me Biden, SHBA i ofron mbështetje financiare Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka biseduar me presidentin amerikan Joe Biden, ku kanë diskutuar lidhur me sigurinë, mbështetjen financiare për Ukrainën dhe vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se presidenti Biden ka siguruar se së bashku me aleatët dhe partnerët e saj, SHBA do të rrisë kostot për Rusinë, pas agresionit të saj në Ukrainë.

10:59 Koreja e Jugut vendos sanksione kundër Bjellorusisë

Koreja e Jugut do të vendosë sanksione kundër Bjellorusisë për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Rusisë në luftën ndaj Ukrainës. Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka njoftuar se do të ketë kufizime në eksporte, njëjtë me kufizimet që vendosi ndaj Moskës.

Top Channel