Blinken shkon në kufi me Ukrainën: “Nuk do e lëmë Rusinë të marrë frymë”!

06/03/2022 11:54

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u takua në kufirin e Ukrainës me Poloninë me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, duke i përcjellë një mesazh të qartë Moskës mbi përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë.

Mes masash të rrepta sigurie, takimi u mbajt në një tendë ku vazhdimisht mbërrinin refugjatë, shumica gra e fëmijë. Blinken tha se ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga e gjithë bota për Ukrainën kundër sulmit rus, kundër luftës që Rusia zgjodhi të niste, kundër asaj që po ndodh çdo ditë me civilët në mbarë vendin si pasojë e këtij agresioni.

“E gjithë bota qëndron në krah të Ukrainës, ashtu siç po qëndroj këtu në Ukrainë me mikun tim, kolegun tim. Shpresoj që populli i Ukrainës të jetë në gjendje ta shohë këtë si një manifestim të qartë se ne kemi miq që na qëndrojnë në krah”, u shpreh Blinken.

Diskutimet e tyre u fokusuan tek pajisja e Ukrainës me armë dhe fushatën për të izoluar Rusinë në shkallë ndërkombëtare, si edhe për të dëmtuar ekonominë e saj me sanksione.

Ukraina duket se në këto momente, ka nevojë të veçantë për avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Të shtunën, forcat ukrainase rrëzuan tre avionë ruse. Armët e perëndimit duket po ndihmojnë shumë, e nëse furnizimi me to vazhdon, kjo sipas Kulebes do të shpëtojë shumë jetë.

Top Channel