Lufta e Ukrainës godet turizmin turk: Na ikën turistët, humbje “kolosale”

06/03/2022 13:16

Pushtimi i Ukrainës i dha një goditje të re ekonomisë së gjunjëzuar turke, e cila varet ndjeshëm nga të dyja këto vende përsa i takon të ardhurave te saj nga turizmi.

Të dëshpëruara, agjensitë turistike vendase thonë se po përgatiten për humbje të mëdha; ritmi i rezervimeve është ngadalësuar ndjeshëm përpara sezonit të jetik veror për këtë industri, e cila ende nuk ka arritur ta marrë veten siç duhet nga pandemia e koronavirusit.

Ismail Yitmen: Agjensitë e udhëtimit që punojnë me Rusinë, po e vuajnë shumë këtë situatë. Agjensia ime gjithashtu. Duke pasur parasysh nivelin e depozitave që kam paguar për hotelet, humbjet e mia deri tani kapërcejnë 11.000 euro. Nëse anulohen dhe grupe të tjera, bashkë me personelin, zyrat tona dhe shpenzime të tjera, në total them se do të shkojmë tek 60,000-70,000 euro humbje.

Rreth 4 milionë rusë e vizituan Turqinë vitin e kaluar, ndërsa numri i turistëve ukrainas kapërceu 1.5 milionë.

Ismail Yitmen: Ishte një grup i madh i planifikuar të vinte në Turqi për dy muaj, por nuk i morëm dot paratë prej tyre, sepse u ndaluan transferta me SWIFT. Unë humba para nga kjo gjë. Nuk dihet se kur do të vijnë të tjerët. Anulimet e grupeve turistike po na godasin shumë rëndë.

Firuz Ballıkaya: Jo vetëm nga Ukraina e Rusia, por rezervimet nga e gjithë Europa janë reduktuar ndjeshëm. Të gjithë urojmë që situata të përmirësohet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse po vazhduam kështu, e kemi keq punën.

Normalisht, sipas Ballikayas, rezervimet e verës duhet të vërshonin pikërisht tani në mars, por kërkesat kanë ndaluar befas. Ankaraja anëtare e NATO-s, u rreshtua në krah të Perëndimit duke dënuar me forca pushtimin rus të Ukrainës, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta që ka pasur me PUtinin. Megjithate, ajo ka zgjedhur të mos e mbyllë hapësirën e vet ajrore për avionët rusë.

Top Channel