Skuadra britanike e Chelsea u ndesh sot me Burnley në Premierligën angleze, në fushën e këtyre të fundit, por ndeshja u njollos disi nga brohorimet e londinezëve që tregonin mbështetjen e tyre për pronarin rus të klubit Roman Abramovich.
Mediat britanike quanin sjelljen e tifozëve të Chelsea-t “pa takt” pasi brohorimet për pronarin Roman Abramovich erdhën në kohën kur skuadra e Burnley po bënte një homazh në mbështetje të Ukrainës.
Para nisjes së ndeshjes Burnley mbajti një minutë duartrokitje në solidaritet me Ukrainën e cila gjendet nën operacionin e ushtrisë ruse.
Por tifozët udhëtues zgjodhën të tregojnë mbështetje për pronarin e klubit Roman Abramoviç që kësaj jave njoftoi se do ta shesë atë, pikërisht prej situatës së luftës në Ukrainë.
Epoka e Abramovic është më e suksesshmja në historinë e klubit të Chelsea, kështu që tifozët ndërprenë duartrokitjen e stadiumit Turf Moor me brohorimat ‘Roman Abramovich, Roman Abramovich!’.
Kori u prit me zemërim nga tifozët vendas që nisën zhurma mos-aprovimi ndaj miqve.
Abramovich njoftoi të mërkurën se kishte vendosur të shiste Chelsea mes presionit të sanksioneve të luftës nga qeveria britanike.
Në deklaratën e tij pronari thoshte: “Siç kam bërë dhe më parë, vendimet i kam marrë duke pasur kryesor interesin e klubit. Në situatën aktuale kam vendosur ta shes atë, pasi besoj se është në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve, sponsorve dhe partnerëve”.
Ai shtoi më tej për situatën: “Gjithashtu kam urdhëruar krijimin e një fondacioni bamirësie që përfitimet neto nga shitja të bëhen donacion”.
“Përfituesit nga donacionet do të jenë viktimat e luftës në Ukrainë”, thuhej në deklaratën e Abramoviç.
Chelsea fitoi ndeshjen 0-4.
Top Channel