Finalja e Ligës së Kombeve, Spanjë-Francë luhet të dielën në Milano.
Franca në finale të edicionit të dytë të Nations League, ku e pret Spanja. “Gjelat” arritën një fitore në frymën e fundit, duke bërë mrekullinë për të përmbysur disavantazhin e shifrave 0-2 Belgjikën në 3-2.
Një ndeshje me dy fytyra për “Diajt e kuq”, që dominoi gjatë fraksionit të parë, teksa që në minutën e katër detyroi portierin Hugo Lloris të bënte mrekullinë ndaj De Bruyne, ndërsa në të 37-tën zhbllokoi takimin me Carrascon.
Tri minuta më pas, Romelu Lukakun dyfishoi epërsinë, i shërbyer po nga De Bruyne. Në këtë rast nuk mjaftuan as dy Hernandez, Theo dhe Lucas, për të mbajtur nën kontroll sulmuesin e Chelsea-t.
U duk se Belgjika ishte e sigurt drejt finales, por “Gjelat” kishin rezervuar të papriturën në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të Benzema shpiku një gol nga ata që vetëm ai di t’i bëjë, me një rrotullim të befasishëm brenda zonës.
Pesë minutë më vonë, Griezmann fitoi një 11-metërsh, falë ndërhyrjes së VAR-it, që u shndërrua në gol nga Mbappe.
Ndërkohë Belgjika reagoi dy minuta para fundit me Lukakun, që nisi festën për golin e dytë personal, por gëzimin ia la në mes VAR-i, që evidentoi një pozicion jashtë për çështje centimetrash.
Nga porta e Francës, rreziku kaloi te zona e Belgjikës dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt Theo Hernandez realizoi golin e përmbysjes së madhe me një goditje të saktë, që u devijua por jo aq sa për ta nxjerrë nga porta nga Courtois.
Me këtë gol mbyllet gjithçka për gjysmëfinale për të pritur me padurim finalen e madhe të Ligës së Kombeve që zhvillohet ditën e diel në Milano mes Francës dhe Spanjës.
Top Channel