“Oh ato ditë të bukura”, regjisori Arben Kumbaro ngjit në skenën e Teatrit Metropol aktorët Yllka Mujo dhe Sokol Angjeli

06/10/2021 09:14

Teatri Metropol sjell në skenën premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett me regji nga Arben Kumbaro. Vepra e cila është cilësuar një nga më të njohura të teatrit modern botërorë, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës,Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.

“Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori i njohur Arben Kumbaro në datat 7, 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 tetor ora 19:00.

“Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë. Vepra është në kufijt e një monodrama dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo. Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bën krejtësisht të mundur realizimin e tij. Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë” shprehet regjisori Arben Kumbaro.

“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë. Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër. Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë, siç e cilëson dhe autori, të cilën ne në projektin tonë mund ta trajtojmë si një grumbull mbeturinash rëre dheu dhe inertesh për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqësie natyrore (tërmeti) në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend. Rreth saj zvarritet i shoqi, Vili, që lexon gazetën dhe hera herës ngrohet në diell. Vili pothuaj nuk flet fare gjatë gjithë kohës, vetëm shumë rrallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.

Ndërsa Vini që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit, çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kish kaluar kohë më parë…. Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës. Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.

Në pjesën e dytë ajo është e zhytur deri në grykë në tokë, vetëm me kokën përjashta dhe vazhdon të kujtojë apo të flasë për ditët e bukura. Hera herës Vini mban një maskë në fytyrë kundër një pandemie të supozuar…

Skenografia e realizuar nga Ardian Kapo është menduar sipas nevojave të diktuara edhe prej autorit. Ajo do të sjellë në skenë vizualitetin e një toke të shkretë me stalaktite dhe stalakmite ku personazhi kryesor do të qëndrojë në qendër të skenës i zhytur në dhé deri në mes dhe i ngecur në këtë realitet nga ku nuk mund të shpëtojë dot. Gjithashtu dhe muzika është menduar të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje ku do të ndërthuret muzika instrumentale dhe vokale duke ruajtur atmosferën në të cilën zhvillohet shfaqja dhe vendi ku zhvillohet.

 

Samuel Beckett

Shkrimtari i njohur mbarëkombëtar Samuel Beket u lind më 13 prill të vitit 1906 afër Dublinit në Irlandë. Ishte një djalë me sjellje shembullore dhe familjar i mbikqyrur gjithmonë nga një dado të cilën familja e kishte marrë për të qëndruar me të. Pasi mbaroi shkollën e mesme duke treguar një talent të rrallë, ai u transferua në Paris në vitin 1928. Suksesi i tij i parë i rëndësishëm për të ishte transferimi në kolegjin e quajtur “Trinity” College në vitin 1928 në Paris, cilin studioi për frëngjisht e italisht. Këtu vijnë edhe hapat e parë pozitivë për të. Nisi të merrej me botën e letërsisë dhe filloi të krijonte miqësi të reja për të mësuar gjithmonë e më shumë. Atje njohu edhe James Joysin i cili u kthye dhe në profesorin e tij për t’i mësuar gjithçka kërkonte apo kishte kuriozitet të dinte. Mjaftoi kaq, dhe menjëherë nisi karriera e tij e jashtëzakonshme ku fiton menjëherë çmimin e parë letrar duke fituar dhjetë stërlina me veprën e quajtur “Whoroscope”. Veprat i shkroi në frëngjisht dhe zuri menjëherë vend të rëndësishëm në radhën e autorëve të tjerë të mëdhenj. Ishte një ndër autorët më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. U kurorëzua me çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1969. Beketi dallonte nga shkrimtarët e tjerë të kohës së tij ku në veprat e veta trajtonte gjithmonë shqetësimet e të tjerëve dhe shoqërisë së asaj kohe. Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirëfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beketit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë pasur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rreshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Top Channel