Kapet i kërkuari që ia mbathi nga policia, nis hetimi për dhunën ndaj gazetarit (Pamjet nga operacioni)

27/07/2021 17:23

Arratia e drejtuesit të “Benzit” që ia mbathi efektivëve të RENEA-s duke mos pranuar urdhrin e ndalimit ka zgjatur vetëm një orë.

Ngjarja ndodhi ditën e sotme gjatë operacionit për kapjen e tij në kryeqytet, në zonën e Varrit të Bamit pasi efektivët kishin informacione se në këtë zonë po qarkullonin persona që shpërndajnë lëndë narkotike.

Në pamje duket se si drejtuesi i automjetit tip “Benz” me xhama të zinj rrethohet nga efektivët, ndërsa njëri prej tyre, i cili nuk është me uniformë policie i bërtet shoferit që të hapë derën dhe të zbresë nga makina.

Por ai nuk pranon ta bëjë këtë gjë dhe shkel gazin e makinës duke u larguar me shpejtësi nga zona, gjë që rrezikoi edhe jetën e njërit prej efektivëve që ndodhej shumë pranë makinës.

Të revoltuar nga dështimi i operacionit, duket se efektivët e RENEA-s ushtrojnë kontrolle në zonën përreth dhe në një moment shtrinë në tokë pa asnjë shpjegim gazetarin Ergys Gjençaj, i cili po filmonte operacionin nga automjeti i TV News24.

Për këtë veprim, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit për tejkalim kompetencash.

SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla.

Për dhunën ndaj gazetarit Gjençaj, reagoi edhe Unioni i Gazetarëve duke e cilësuar si “akt të rëndë mbi reporterin dhe arrogancë policore”. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon ashpër këtë akt dhunues dhe brutalitetin policor të demonstruar ndaj reporterit dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së punonjësve me uniformë policie, të cilët janë aktore të kësaj dhune dhe arrogancë mbi gazetarin në detyrë.

FOTO GALERI
7/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA