Konflikti që alarmoi Policinë e Vlorës/ Dy biznesmenët Bedinaj e Muça u përplasën për pronën në Palasë

03/09/2026 14:40

Pak para mesditës, Policia e Vlorës u ngrit në alarm pasi u sinjalizua për një konflikt masiv në Orikum pranë një Hoteli. Telefonata sinjalizuese bluve u erdhi nga vetë pronari i hotel Palma Vasil Bedinaj, i cili pretendoi se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 persona, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Ata po merren në pyetje nga hetuesit në lidhje me sqarimin e rrethanave. Gjatë kontrollit në automjetin e tyre polica ka gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Burimet për Top Channel thanë se konflikti ishte mes 2 biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.

Në momentet pas ngjarjes Bedinaj ka pretenduar se konflikti ishte për një shumë të konsiderueshme parash por burimet thonë se gjithçka lidhet me një pronë e cila po zhvillohet nga Luan Muça në Palasë ku po ndërtohet një resort.

Bedinaj me persona të tjerë ka kërkuar përqindje të kësaj prone çka është kundërshtuar nga Muça, i cili këtë mesditë kishte lënë një takim në Orikum për tu sqaruar.

Ka dyshime se gjatë këtij konflikti fillimisht fizik janë përdorur dhe armët e zjarrit, megjithatë në vendngjarje policia nuk ka konstatuar asnjë gëzhojë.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për rastin dhe po punohet me kamerat e sigurisë, dëshmitë e të implikuarve dhe të dhëna operative për zbardhjen e gjithë dinamikës së kësaj ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.

Top Channel