Një skandal i përmasave të padëgjuara ka njollosur finalen e vaterpolit në Lojërat Mesdhetare në Taranto.

Italia ka rrëmbyer medaljen e artë duke mposhtur Malin e Zi me rezultatin 18-14, por ajo që duhej të ishte një spektakël sportiv, u kthye në një arenë turpi dhe padrejtësish që ka lënë pa fjalë opinionin publik.

Akti absurdi i gjyqtarëve

Në qendër të kësaj çmendurie ishte italiani Matteo Jocchi Grata, i cili në një gjest të pastër rrugaçërie dhe totalisht antisportiv, ka kafshuar hapur lojtarin malazez Danilo Stupari. Për habinë e çdokujt që po ndiqte ndeshjen, trupa gjykuese e pa situatën “përmbys”. Gjyqtari hungarez Kovač mori vendimin shokues duke përjashtuar nga loja vetë viktimën e kafshimit, Stupari, nën pretekstin qesharak të “brutalitetit”.

Tërbimi në kampin malazez ishte i pashmangshëm. Trajneri Dejan Savić reagoi ashpër ndaj këtij vendimi të paprecedentë, duke marrë gjithashtu një karton të kuq nga gjyqtari hungarez.

Reagimi i kapitenit Pas përfundimit të ndeshjes, kapiteni i Malit të Zi, Vasilije Radović, nuk i kurseu akuzat për lojën jashtë rregullave të italianëve: “Gjatë gjithë ndeshjes, Azzurrët ishin mbi limitin e lejuar të agresivitetit dhe mendoj se ky ishte faktori vendimtar në humbjen tonë. Ne nuk iu përgjigjëm në mënyrë adekuate kësaj. Kemi lejuar disa gjëra për të cilat nuk ishim marrë vesh paraprakisht. Megjithatë, zhvilluam një turne të mirë dhe u rritëm nga ndeshja në ndeshje. Atmosfera ishte fantastike para tribunave të mbushura plot. Ky ekip më në fund fitoi diçka, me kalimin e kohës po përmirësohemi dhe jemi të lumtur për këtë.”

Top Channel