Djali i themeluesit të Hamasit trondit SHBA-në: Nuk dua myslimanë këtu, ikni nga Amerika
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se ka ende një shans për një marrëveshje paqeje me Ukrainën, por rifillimi i bisedimeve, sipas tij, ishte vështirësuar për shkak të sulmeve ukrainase ndaj anijeve ruse, dhe thirrjes nga Kievi që avionët civilë të shmangnin hapësirën ajrore ruse, raporton “Reuters”
Putin ka thënë se një numër vendesh, përfshirë SHBA-në dhe Kinën, ishin të gatshme të mbështesnin një zgjidhje për të gjetur paqe.
“Megjithatë, në fund të fundit, problemi duhet të zgjidhet nga vendet e përfshira në konflikt, Rusia dhe Ukraina”, ka deklaruar ai në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë.
“Ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që përpiqen të kontribuojnë në një zgjidhje. A ka një shans? Sipas mendimit tim, po, ka”, ka shtuar shefi i Kremlinit.
Por Putini ka shtuar se sulmet ukrainase ndaj anijeve tregtare civile dhe “kërcënimet e raportuara për sulme ndaj avionëve civilë” ishin “akte terrorizmi shtetëror”, për të cilat ka thënë se “komplikojnë perspektivat për bisedime dypalëshe paqeje”.
Më herët presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar këtë javë linjat ajrore se prania e dronëve ukrainas e kishte bërë qiellin rus të rrezikshëm, megjithëse kishte saktësuar se Ukraina do të synonte vetëm objektet ushtarake ruse.
E në lidhje me bisedimet e paqes të cilat kanë ngecur që nga muaji shkurt, Putini ka shtuar se Rusia po vazhdon kontaktet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e cila është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.
“Ne jemi në favor të rivendosjes së marrëdhënieve në shkallë të plotë me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga pala amerikane. Por nga ajo që kuptoj, ndiej dhe vëzhgoj, presidenti Trump është i përkushtuar ndaj një angazhimi kaq pozitiv dhe konstruktiv”, ka thënë Putini.
Top Channel