“Rama në panik urdhëron censurën”, Berisha reagon pas mbylljes të 200 faqeve që lidheshin me protestën: Ka zgjedhur manualin e etërve të tij politikë

03/09/2026 22:29

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas mbylljes dhe bllokimit të 200 faqeve në rrjete sociale që lidheshin me protestën.

Berisha pretendon se Rama është në panik, e për këtë sipas tij po urdhëron censurën. Kreu i demokratëve vijon më tej duke u shprehur se kryesocialisti ka zgjedhur të ndjekë manualin e etërve të tij politikë.

“Rama ne panik urdhëron censurën. Rama po dëshmon çdo ditë se sa i frikësuar është nga protesta. Pavarësisht sulmeve, propagandës për ta relativizuar, presionit dhe dhunës së ushtruar nga policia për të intimiduar protestuesit, qytetarët vazhdojnë të dalin çdo natë në shesh dhe të kërkojnë largimin e tij.

Dhe pikërisht sepse protesta është kthyer në diskutimin e çdo tavoline, në shpresë për mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe ka dominuar algoritmet e rrjeteve sociale, Rama ka zgjedhur të ndjekë manualin e etërve të tij politikë: censurën.

Që prej mbrëmjes së djeshme, janë bllokuar rreth 200 llogari të protestuesve dhe portaleve që kanë mbështetur protestën.

Kjo është dëshmia më e qartë se Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta shuar protestën. Por ajo që ende nuk ka kuptuar është se protestuesit nuk dorëzohen, nuk tremben dhe nuk tërhiqen. Ata do të jenë aty çdo natë, në shesh, deri në largimin e tij”, ka reaguar Berisha.

Top Channel