Aeroplanmbajtësja amerikane Abraham Lincoln mbërrin në Tajlandë e mbuluar nga ndryshku. Eksperti: Duhen 30 ditë për ta pastruar

03/09/2026 19:35

Pamja e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln ka tërhequr vëmendjen pasi anija u ankorua të mërkurën në portin Laem Chabang të Tajlandës. Anija luftarake, e gjatë rreth 335 metra, është shfaqur e mbuluar nga ndryshku, nga pjesa e përparme deri në skajet e saj.

Megjithatë, ekspertët e marinës amerikane thonë se kjo gjendje nuk është domosdoshmërisht e pazakontë për një anije që ka kaluar një periudhë kaq të gjatë në det.

Sipas të dhënave të Marinës amerikane, USS Abraham Lincoln ka qëndruar rreth 286 ditë në det, që prej largimit nga porti i saj bazë në San Diego në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë këtij dislokimi, aeroplanmbajtësja ka marrë pjesë edhe në muaj të tërë operacionesh luftarake dhe bllokadash në Lindjen e Mesme, në kuadër të operacioneve ndaj Iranit.

Carl Schuster, ish-kapiten i Marinës amerikane, i cili ka shërbyer në tre raste në aeroplanmbajtëse të klasës Nimitz, ku bën pjesë edhe Lincoln, thotë se ndryshku përgjatë vijës së ujit nuk është i pazakontë pas një periudhe të gjatë operacionesh në det.

Sipas tij, pas më shumë se 60 ditësh operacionesh të vazhdueshme në det, shfaqja e ndryshkut në pjesë të anijes është diçka që mund të pritet.

Duhen rreth 30 ditë për trajtimin e ndryshkut

Problemi nuk mund të trajtohet plotësisht gjatë operacioneve në det, veçanërisht kur anija është e angazhuar në misione luftarake.

Sipas Schuster, për të hequr ndryshkun nga pjesa pranë vijës së ujit, ekipet duhet të zbresin në pjesët e poshtme të anijes, të pastrojnë sipërfaqet e prekura, të vendosin dy shtresa primeri kundër ndryshkut dhe më pas dy shtresa bojë gri të përdorur nga Marina.

Eksperti vlerëson se, bazuar në gjendjen e dukshme të anijes, mund të nevojiten rreth 30 ditë punë mirëmbajtjeje për heqjen e plotë të ndryshkut.

Megjithatë, gjatë qëndrimit rreth shtatëditor në Tajlandë pritet të kryhen vetëm ndërhyrjet më urgjente. Prioritet do t’u jepet pjesëve të përparme të anijes dhe zonave pranë vijës së ujit, të cilat ekspozohen më shumë ndaj ujit të kripur dhe dallgëve.

Pas një dislokimi të gjatë, ekuipazhi merr pushimin e parë

USS Abraham Lincoln u ankorua në portin Laem Chabang, në Gjirin e Tajlandës, në jug të Bangkokut. Qëndrimi i saj pritet të zgjasë disa ditë dhe do t’u japë anëtarëve të ekuipazhit mundësinë për të pasur pushimin e parë të plotë pas një dislokimi jashtëzakonisht të gjatë.

Ndërkohë, ndryshku nuk është problemi i vetëm që është raportuar gjatë këtij misioni. Dislokimi i gjatë është shoqëruar edhe me raportime për probleme të moralit të ekuipazhit, mungesa furnizimesh dhe të paktën një rast ku një anëtar i ekuipazhit ka rënë në det.

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë më herët shqetësimet për kohëzgjatjen e misionit, duke deklaruar se dislokimi i Lincoln nuk kishte qenë “aspak aq i gjatë”.

“Ndryshku përhapet si një sëmundje”

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht se ndryshku është i pritshëm pas një qëndrimi të gjatë në det, ai nuk mund të neglizhohet.

“Ndryshku është si një sëmundje ngjitëse. Ai përhapet”, shpjegon Schuster, duke theksuar se trajtimi në fazat e hershme është thelbësor për të shmangur dëme më të mëdha në të ardhmen.

Ndryshku mund të dobësojë strukturat prej çeliku dhe, nëse lihet pa u trajtuar, mund të prekë elemente të rëndësishme të anijes, përfshirë kuvertat, kalimet dhe strukturat mbrojtëse.

Edhe vetë mirëmbajtja kundër ndryshkut nuk është ndër aktivitetet më të pëlqyera nga marinarët. Sipas Schuster, “lufta kundër ndryshkut” është një prej dy aktiviteteve më të papëlqyera në Marinën amerikane, së bashku me punët që lidhen me sistemet hidraulike.

Top Channel