Një video, ku shihet sesi aktorët ndiqen nga ujqër të vërtetë gjatë një transmetimi ‘live’ në Kinë, ka bërë të jepet alarmi për sigurinë e personave pjesëmarrës në ‘reality show’ dhe atë të audiencës.
Pamjet e filmuara në një teatër të qytetit Xi’an u postuan në rrjetin social kinez Weibo dhe brenda pak ditësh u bënë virale, duke marrë më shumë se 433 milionë klikime. Ato tregojnë sesi një numër ujqish lëshohen nga prapa skenës, duke u hedhur mbi vendet e publikut e duke ndjekur aktorët.
Kjo konsiderohej pjesë e spektaklit të titulluar “The Legend of Camel Bell” thotë CNN. Nuk ka asnjë masë mbrojtëse kundër kafshëve të rrezikshme.
“Unë u tmerrova vetëm duke parë videon”, shkruan një përdorues i Weibos.
“A janë në vete këta? Po sikur të ndodhte diçka e papritur”, thotë një tjetër.
Një përfaqësues i kompanisë që ka në pronësi të saj teatrin ku u organizua shfaqja e çmendur, pretendon se “ujqërit në fjalë janë të sigurt dhe nuk i lëndojnë njerëzit”. Sipas tij ata janë stërvitur nga trajnues profesionistë, ndërsa shtoi se aktorët mbanin veshje mbrojtëse për të mos u lënduar.
Megjithatë, shfaqja e rrezikshme është dënuar me forcë dhe ka shkaktuar shqetësim të madh mes përdoruesve të internetit që panë videon.
Top Channel