“Nuk derdhi asnjë lot”, babai i 32-vjeçares që dyshohet se u vra nga bashkëshorti me insulinë rrëfen detajet tronditëse: Jessica kishte frikë se mos…

01/11/2026 14:45

Babai i Jessica-s, 32-vjeçares që humbi jetën në qershor të vitit 2024 në Itali, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Nadir Rossi, një ish-infermier 35-vjeçar, i dyshuar për vrasje me dashje dhe të paramenduar përmes administrimit të insulinës.

Në një intervistë për emisionin italian “Dentro la Notizia”, Maurizio Dalla Chiara rrëfeu dyshimet që kishte pasur që në fillim ndaj dhëndrit, duke vënë në dukje sjelljen e tij, të cilën e përshkroi si jashtëzakonisht pasive dhe të ftohtë.

“Prisja të ndieja gëzim, por përjetoj ende të njëjtën dhimbje si dy vjet e gjysmë më parë”, u shpreh babai i viktimës, duke shtuar se arrestimi i të dyshuarit nuk ia ka lehtësuar dhimbjen për humbjen e së bijës.

“Nuk e kam parë kurrë të derdhte një lot, as kur bashkëshortja e tij ishte e shtrirë përtokë, pa shenja jete, as gjatë funeralit apo në raste të tjera”, tregoi ai.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Veronës, Jessica, e cila punonte si infermiere, dyshohet se është helmuar gradualisht nga bashkëshorti i saj përmes administrimit të insulinës, fillimisht në banesë dhe më pas edhe në spitalin ku ishte shtruar. Kjo i kishte shkaktuar një krizë të rëndë hipoglicemie.

Gjatë intervistës, babai i Jessica-s ndau edhe detaje nga momentet e fundit të jetës së vajzës së tij. Ai tregoi se, ndërsa e reja po luftonte për jetën në banesë, bashkëshorti i saj ishte përqendruar te largimi i shpejtë i flakonëve të ilaçeve.

“Gjithçka e futi në një qese dhe më pas e hodhi në mbeturina, sikur të donte të fshihte diçka”, rrëfeu Maurizio, duke iu referuar asaj që i kishte treguar ish-bashkëshortja e tij, Loretta, nëna e Jessica.

Një tjetër element që e ka tronditur familjen është edhe një policë sigurimi jete në vlerën 100 mijë euro, të cilën Rossi dyshohet se e ka përfituar pas vdekjes së bashkëshortes.

Babai i viktimës tha se nuk kishte pasur dijeni për këtë sigurim dhe se fillimisht kishte menduar se ai shërbente për të mbuluar kredinë hipotekore të apartamentit që çifti kishte blerë. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për vendimin e marrë pas vdekjes së vajzës për ta djegur trupin pa iu nënshtruar më parë autopsisë.

Maurizio tregoi se gjatë periudhës së fundit të jetës, vajza e tij kishte shfaqur shqetësime të mëdha për shëndetin dhe kishte frikë se mund të vdiste.

“Ajo nuk arrinte të flinte, kishte frikë se mos vdiste dhe për këtë arsye vendoste alarmin çdo dy orë. Vazhdonte të konsumonte sheqer për të mbajtur nën kontroll insulinën”, tha ai.

Sipas akuzës së Prokurorisë, Nadir Rossi dyshohet se ka administruar insulinë në mënyrë të përsëritur, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortes.

Rossi, ish-infermier 35-vjeçar nga Bussolengo, në provincën e Veronës, akuzohet për vrasje me dashje dhe të paramenduar. Të hënën është parashikuar marrja në pyetje e tij nga gjyqtari, ku do të ketë mundësinë të japë versionin e tij për ngjarjen dhe akuzat e ngritura ndaj tij. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 32-vjeçares.

Top Channel