Debuton në Euro 2020 edhe Spanja, që nuk shkoi përtej një barazimi 0-0 në përballjen ndaj Suedisë në “Estadio de la Cartuja” të Sevillas, ku u regjistrua edhe ndeshja e parë pa gola e këtij kompeticioni, nga 10 të tilla të zhvilluara deri tani.

Pritej me mjaft interes performanca në fushë e një Spanje të rinovuar në të gjithë repartet nga ana e trajnerit Luis Enrique, që nuk mori me vete asnjë futbollist të Realit të Madridit dhe hodhi në fushë nga minuta e parë mesfushorin Pedri, i cili u bë spanjolli më i ri që luan në një Europian.

“Furia Roja” e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe nëpërmjet një sistemi perfekt “tiki taka”, mori zotërimin e topit, duke vendosur një rekord historik në Kampionatin Europian, me plot 419 pasime të kompletuara në pjesën e parë, 303 prej të cilave në gjysmëfushën kundërshtare.

Megjithatë dominimi në kontrollin e topit nuk u konkretizua në raste dhe ato pak mundësi që patën për të shënuar, u shpërdoruan nga Morata me shokë, të cilët u treguan të pasaktë në finalizim dhe nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetën e Olsen.

Nga ana tjetër Suedia u rreshtua me forca të shumta në prapavijë dhe i besoi kundërsulmit, teksa në dy raste mund të kishte ndëshkuar vendasit, por edhe sulmuesit nordikë nuk u treguan mjaftueshëm të ftohtë para portës kundërshtare.

Vërshëllima finale e arbitrit slloven Vincic, la në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, me Spanjën që merr vetëm një pikë në ndeshjen e parë të Europianit, ndërsa Luis Enrique ka ende shumë punë për të bërë me sulmuesit e tij, në mënyrë që të shmangë ndonjë surprizë të pakëndshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA