Një supergol i shënuar direkt nga goditja e këndit nga Mentor Mazrekaj, i ndihmuar edhe nga devijimi i Najdovskit, i dha fitoren Laçit në sfidën përballë Tiranës në “Air Albania”, me bardheblutë që dalin edhe nga gara për një vend në kupat e Europës. Një fitore e madhe për kurbinasit, që rikthehen protagonistë në luftën për titullin kampion, edhe pse jo gjithçka është në dorën e e tyre në dy sfidat e mbetura.
Kukësi nuk i hap rrugë Bylisit, ndonëse në këto ndeshje të fundit të kampionatit luan vetëm për të respektuar garën. Verilindorët triumfuan me përmbysje ndaj ballshiotëve, që me golin e Ntephe në minutën e 14-të dhanë përshtypjen se mund të merrnin një fitore të madhe që mund t’i vlente qëndrimin në Superiore.
Kukësi ktheu lojën në favorin e tij në pjesën e dytë, duke barazuar me Ezenë në minutën e 67-të, ndërsa një minutë para fundit Vesel Limajn i dha goditjen e “nock out”-it Bylisit, që nëse humb dhe ndeshjen e drejtpërdrejtë me Kastriotin në transfertë, duhet t’i thotë lamtumirë Superiores.
Skënderbeu praktikisht siguron mbijetesën me fitoren e pastër 2-0 me Apoloninë tashmë të rënë nga kategoria. Bardehkuqtë e vulosën fitoren që në pjesën e parë me golat e Meksit me 11-metërsh dhe Pusit. Tashmë ekipi i drejtuar nga Migen Memelli shkon në kuotën e 34 pikë, tri më shumë se Kastrioti dhe katër më shumë se Bylisi.
Top Channel