Adoleshentja nga Mineapolis që regjistroi me celularin e saj videon e arrestimit vdekjeprurës së afrikano-amerikanit George Floyd nga oficeri i policisë Derek Chauvin filloi të qante kur iu shfaq një imazh nga videoja në gjyqin ndaj ish-policit të martën.
Përhapja e asaj videoje ndezi protesta në të gjithë botën. Prokurorët e filluar paraqitjen e argumentave të tyre me thirrjen e disa dëshmitarëve të arrestimit më 25 maj 2020: një dispeçere në policinë e Minnapolisit; një vajzë e re që punonte në pikën e karburantit nga ana tjetër e rrugës; një ekspert i arteve marciale i cili po kalonte aty pranë. Gjatë dëshmive, prokurorët kanë shfaqur video të arrestimit para jurisë të marra nga kënde të ndryshme, përfshirë videon që kishte regjistruar adoleshentja që tregojnë ish-policin Chauvin, i cili është i bardhë, duke mbajtur gjurin në qafën e 46 vjeçarin Floyd që po vdes, për rreth nëntë minuta.
Pamjet, për të cilat prokurorët thonë se tregojnë forcë të tepruar, indinjuan njerëzit në të gjithë botën dhe sollën si rezultat një nga lëvizjet më të mëdha të protestave në Shtetet e Bashkuara prej dekadash. Shumë vetë e shohin vdekjen e zotit Floyd si një shembull të brutalitetit që ata thonë se është sistematik nga forcat e rendit ndaj njerëzve me ngjyrë. Avokatët e zotir Chauvin, 45 vjeç, thonë se ai u soll në përputhje me trajnimin e tij policor dhe nuk është fajtor për akuzat e vrasjes së shkallës së dytë, vrasjes së shkallës së tretë ose vrasjes së shkallës së dytë pa qëllim. Ja disa nga dëshmitë kryesore të dëgjuara nga juria të artën:
DARNELLA FRAZIER, DËSHMITARE
18 vjeçarja Darnella Frazier po ecte me kushërirën e saj 9-vjeçare drejt dyqanit Cup Foods, ku pak momente më herët një nga punonjësit kishte akuzuar zotin Floyd për përdorim të një 20 dollarëshi të rremë, kur pa policinë që po e arrestonte atë jashtë dhe nxorri telefonin cellular për të regjistruar. “Pashë një burrë në tokë dhe një polic që po i vinte gjurin”, i tha Darnella Frazier jurisë. “Ai ishte i tmerruar, i frikësuar, duke u lutur për jetën e tij.”
Ajo e humbi qetësinë e saj dhe zëri i saj u drodh kur prokurorët paraqitën një pjesë nga videoja e saj, që tregonte momentin kur Chauvin, me gjurin e tij në qafën e Floyd, duket se po sheh drejtpërdrejt në lenten e kameras së Darnella Frazierit. Avokatët e ish-policit Chauvin kanë thënë se atij i ishte tërhequr vëmendja nga kalimtarët e zemëruar që u bashkuan me Darnellën në trotuar. Prokurorët e pyetën nëse ajo kishte dëgjuar ndonjë kalimtar që kërcënonte policinë dhe ajo tha jo.
“A do ta përshkruanit veten si një turmë e pabindur?” e pyeti prokurori Jerry Blackwell. “Jo”, tha Frazier, duke shtuar se i vetmi person që ajo pa të ishte i dhunshëm ishte Chauvin, për të cilin ajo tha se u shfaq i patrazuar nga ata që mund ta shihnin dhe trafiku që kalonte pas tij. E pyetur nga të dyja palët se si fakti që ajo ishte personi që kishte ofruar proven më të njohur të vdekjes së zotit Floyd ia kishte ndryshuar jetën, ajo përsëri foli me lot në sy.
“Kur shikoj George Floyd, unë shikoj babanë tim, unë shikoj vëllezërit e mi, shikoj kushërinjtë e mi, xhaxhallarët e mi, sepse ata janë të gjithë të me ngjyrë,” tha ajo.
DONALD WILLIAMS, DËSHMITAR
Williams është një 33 vjeçar, ekspert artesh marciale dhe baba i cili dëgjohet në videot e arrestimit të zotit Floyd duke sharë policin Chauvin dhe duke i kërkuar policisë të kontrollonte pulsin e zotit Floyd. Ai i tha jurisë se besonte se zoti Chauvin po përdorte gjurin për t’i bllokuar gjakun zotit Floyd, një lëvizje që synon të lërë një kundërshtar pa ndjenja dhe për të ushtruar presion në qafën e zotit Floyd.
“Mund t’i shohësh sytë e tij që rrotullohen ngadalë,” tha zoti Williams për zotin Floyd. “Mund të shohësh se ai po përpiqet të thithë ajër.”
Një telefonatë që zoti Williams i bëri policisë pas arrestimit u luajt para jurisë. Zoti Williams fshinte sytë e përlotur ndërsa dëgjonte zërin e tij të tronditur që mbushte dhomën. “Besoj se kam parë një vrasje,” i tha zoti Williams jurisë. “Kështu që mendova se duhej të telefonoja policinë.”/VOA
Top Channel