I pafat Marash Kumbulla. Nga dëmtimi që pësoi në fitoren 0-1 që Shqipëria arriti ndaj Andorrës, mbrojtësi kuqezi nuk humbi vetëm duelin me Anglinë dhe sfidën tjetër kualifikuese për Katar 2022 ndaj San Marinos por edhe pjesën e mbetur të këtij sezoni me Romën.
Sipas raportimeve që vinë nga mediat italiane Kumbulla, do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj dhe në këtë mënyrë nuk do të jetë i disponueshëm për trajnerin Paulo Fonseca për 10 javët e fundit të Serie A dhe dy sfidat në çerekfinalet e Europa League që Roma do të ketë Ajaxin, ndërsa në rast kualifikimi të verdhekuqëve ai do të humbasë edhe dy takimet gjysmëfinale.
Muaji mars nuk ka qenë shumë pozitiv për 21-vjeçarin në aspektin personal pasi Kumbulla nuk ka qenë titullar i rregullt te Roma.
Pas dëmtimit që pësoi në menisk në ndeshjen ndaj Andorrës ndaj të cilës qëndroi në fushë për 90 minuta, analizave të cilat iu nënshtrua kuqeziu në Vila Stuart në Romë përcaktuan që shkalla e dëmtimit ishte më e rëndë sesa parashikohej dhe mbrojtësi shqiptar do të qëndrojë për disa kohë jashtë fushave, duke mbyllur para kohe këtë sezon futbollistik.
Top Channel