Kaluan 43 vite nga periudha e Zicos dhe vjen princi nigerian apo artisti i modës, kush është në të vërtetë ylli i ri i Udineses
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e futbollit në Poloni, ku 20-vjeçari Oskar Kordus humbi jetën disa orë pasi u përfshi në një aksident të rëndë rrugor.
Futbollisti po drejtonte makinën e tij kur një dre u përplas fillimisht me një automjet tjetër dhe më pas u hodh në drejtim të BMW-së së të riut.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës, 21 shtator, në rrugën provinciale DW434, mes Krajewice dhe Grabonóg, pranë Gostyń.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, një dre doli papritur në rrugë dhe u përplas fillimisht nga një Volkswagen që drejtohej nga një 52-vjeçar. Përplasja e fuqishme bëri që kafsha të hidhej në korsinë e kundërt, ku në atë moment po lëvizte BMW-ja e drejtuar nga Kordus.
Dreri theu xhamin e BMW-së dhe hyri në kabinën e automjetit, duke goditur 20-vjeçarin. Pas përplasjes, makina doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, ku u përmbys.
Ekipet e shpëtimit e gjetën Kordus pa shenja jete dhe nisën menjëherë reanimimin kardiopulmonar, duke përdorur edhe defibrilatorin. Pas mbërritjes së ambulancës, përpjekjet për ta rikthyer në jetë vijuan dhe funksionet e tij jetësore u rivendosën.
I riu u transportua në gjendje kritike me helikopterin e Shërbimit Ajror të Urgjencës Mjekësore (LPR) në një spital në Poznań. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Kordus ndërroi jetë rreth orës 22:30 të së njëjtës mbrëmje, si pasojë e plagëve të marra.
Drejtuesi 52-vjeçar i Volkswagenit nuk pësoi lëndime. Autoritetet polake vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Oskar Kordus ishte pjesë e Kania Gostyń, klubit të cilit i ishte bashkuar përpara fillimit të këtij sezoni, pasi kishte luajtur më parë për Korona Piaski. Ai aktivizohej në pozicionin e mbrojtësit dhe kishte qenë pjesë edhe e disa klubeve të tjera në rajon.
Kania Gostyń reagoi me dhimbje pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta.
“Me trishtim dhe mosbesim të madh mësuam për vdekjen e futbollistit tonë, Oskar Kordus”, deklaroi klubi, duke shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e 20-vjeçarit.
Kordus kishte qenë më parë pjesë e Akademisë KGHM Zagłębie Lubin, përpara se të vazhdonte karrierën e tij në klube të tjera.
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal të futbollit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.
Top Channel