Roma, Arsenal dhe Granada janë tre skuadrat e para çerekfinaliste të Europa League. Verdhekuqtë e Paulo Fonsecas fituan edhe ndeshjen e dytë ndaj ish-skuadrës së trajnerit të tyre, Shakthar Donetsk brenda në Kiev me shifrat 1-2 duke avancuar më tej me rezultat të përgjithshëm 5-1.
Me Kumbullën titular, Roma arriti të zhbllokonte shifrat në minutën e 48-të me spanjollin Borja Mayoral. Në minutën e 59-të megjithatë Junior Moraes riktheu baraspeshën për ukrainasit, që gjithsesi u dorëzuan pa kushte përsa i përket çështjes së kualifikimit në minutën e 72-të kur Borja Mayoral shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë duke vulosur edhe fitoren e Romës.
U mund minimalisht nga Olympiacos në ndeshjen e kthimit Arsenali që gjithsesi pavarsisht humbjes 0-1 në Fly Emirates avancoi më tej falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë. Golin e vetëm për grekët e shënoi marokeni El Arabi në fillimin e pjesës së dytë. Edhe Granada u mposht në ndeshjen e kthimit nga Molde me shifrat 2-1 por preku çerekfinalet falë suksesit 2-0 në ndeshjen e parë.
Top Channel