Milani “frenohet” në garën për titull, kuqezinjtë shtangen nga Sassuolo brenda në ‘San Siro’
Megjithse më parë ka qenë skeptik për barrierën mbrojtëse të vendosur para kabinës së pilotit në makinat e Formula 1, Romain Grosjean thotë se pajisja mund t’i ketë shpëtuar jetën pas aksidentit të tmerrshëm në garën e Bahrein Grand Prix, ku makina e tij u nda në dy pjesë dhe u pushtua nga flakët.
Incidenti ndodhi në xhiron e parë të garës së të dielës kur Grosjean “u ngul” me mjetin e tij në barrierat mbrojtëse pas kontaktit me Daniil Kvyat më kthesën e tretë.
Francezi arriti të ngrihej e të largohej nga makina e tij por kaloi natën në spital për disa të djegura në duar.
“Dua të them se jam mirë,” tha Grosjean në një video nga krevati i spitalit, i cili garon me skuadrën Haas-Ferrari.
“Falemnderit për mesazhet. Nuk kam qenë dakord kur u vendos mbrojtësja në formë kurore para pilotit disa vjet më parë. Por tani mendoj se është gjëja më e madhe që është bërë. Sikur të mos ishte për të nuk do të mund të flisja me ju sot”.
Mbrojtësja prej titani është tashmë e detyrueshme për të gjitha makinat garuese në F1 që prej prezantimit në 2018. Ajo mbron kroskotin e pilotëve dhe mund të durojë peshën e një autobuzi me dy kate, sipas Formula 1.
Ndërsa shoferi i skuadrës Renault, Daniel Ricciardo shprehu kritika për mënyrën sesi përplasja e Grosjean u transmetua në televizion.
“Fillimisht jam i lumtur që ai është mirë. Por jam shumë i zhgënjyer me Formula 1 për shfaqjen e vazhdueshme të pamjeve të rënda të zjarrit, të makinës së ndarë më dysh. Kujt i nevojiten këto? Familja e tij e shikonte atë, nuk është e bukur të transmetohen këto gjëra me stil ‘Hollywood’.”
Top Channel