Daja e ka mendjen te futbolli edhe në festë, Irma Libohova bëhet “divë e futbollit” (VIDEO)
Ditëlindja e 60-të e Ilir Dajës u kthye në një moment të veçantë për trajnerin e Dinamo City, i cili përveç urimeve nga futbollistët e tij, mori edhe një dhuratë simbolike nga Digitalb.
Gjatë festimit, futbollisti Bruno Dita përcolli urimin në emër të skuadrës, duke i dëshiruar trajnerit edhe 100 vite jetë, shëndet, të mira dhe suksese.
“Unë po provoj t’i them dy fjalë këtu te fusha. I uroj në emër të çunave të bëhesh edhe 100 vjeç, ose edhe sa të duash. Zoti të do, vetëm shëndet, të mira, çfarë të do zemra dhe sukseset t’i shfaqen të gjitha bashkë”, u shpreh Dita.
Më pas, fjalën e mori vetë Ilir Daja, i cili e shoqëroi momentin me humor, duke kujtuar marrëdhënien e gjatë me kapitenin e Dinamo City dhe disa prej lojtarëve që sot ka nën drejtimin e tij.
“Unë sot e kuptoj që nuk jam më dhe aq i ri, sepse kapitenin e ekipit e njoh që në moshën 10-vjeçare, kur ka qenë te moshat e Dinamos”, tha Daja, përpara se Bruno Dita të ndërhynte me shaka.
Trajneri vijoi duke kujtuar rrugëtimin e përbashkët me futbollistët, disa prej të cilëve i ka pasur në skuadër, ndërsa me të tjerë është përballur si kundërshtar gjatë karrierës së tij.
“Është një histori e gjatë mes meje dhe kapitenit, por edhe me shumë lojtarë të tjerë këtu, pasi sa e sa prej tyre i kam pasur edhe kundërshtarë në ekipet e tjera. Ju falënderoj të gjithëve për këtë dhuratë simbolike, të jashtëzakonshme. Shpresoj të kalojmë bukur, të kemi shëndet dhe sa më shumë suksese të gjithë bashkë”, përfundoi Daja.

Surpriza për Ilir Dajën nuk mungoi as nga Digitalb. Drejtori i Supersport, Ylli Aga, i dorëzoi trajnerit një dhuratë simbolike, duke e shoqëruar momentin me një batutë që shkaktoi të qeshura. Aga tha se pjesa më e vështirë e përgatitjes së dhuratës kishte qenë gjetja e një fotografie ku Ilir Daja të shfaqej duke qeshur, një thumbim me humor për imazhin serioz që trajneri përcjell zakonisht.
Top Channel