Sfida mes Paris Saint Germainit dhe Barcelonës nisi me një banderolë gjigande e shpalosur në një nga tribunat e Parkut të Princave nga një pjesë e tifozëve të klubit francez.

Në këtë banderolë ishte një imazh aspak i këndshëm i një personazhi horror me një motosharrë të gjakosur që sulmon stemën e Barcelonës të shoqëruar me frazën ‘Masakër pariziene’ duke bërë një lojë fjalësh me titullin e filmit ‘The Texas Chain Saw Massacre’.

Sipas të përditshmes katalanase ‘La Vanguardia’ Barcelona bëri një ankesë formale te delegati i UEFA pas përfundimit të ndeshjes duke raportuar për banderolën në fjalë për përmbajtje dhune eksplicite. Në të njëjtën kohë Barcelona kishte kërkuar që gjatë ndeshjes të hiqeshin edhe disa pankarta të tjera fyese në drejtim të klubit katalanas

Ndërkaq, sipas të përditshmes ‘L’Equipe’, tifozët kishin marrë miratimin edhe të klubit për shpalosjen e kësaj banderole. Gjithnjë sipas ‘L’Equipe’, ditë më parë klubi parizien e kishte mohuar shfaqjen e një banderole në prag të ndeshjes me Le Mans që aludonte lëvizjen sociale që ka pushtuar Francën, por në rastin e ndeshjes me Barcelonës jo vetëm që u miratua, por edhe u njoftua me megafon përpara shpalosjes.

Top Channel