PSG, ‘tirani’ i Evropës, Luis Enrique ‘asfalton’ dhe Barcelonën dhe kandidohet për titullin e tretë radhazi në Champions
Joshua Kimmich nuk do të jetë në dispozicion të Bayern Munich për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Berthold, në moshën 57-vjeçare.
Mesfushori 31-vjeçar i përfaqësueses së Gjermanisë është tërhequr nga lista e lojtarëve për sfidën që Bayern Munich do të zhvillojë sonte ndaj Arsenalit, në kuadër të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.
Kimmich mungoi edhe në seancën e fundit stërvitore të skuadrës bavareze përpara kësaj përballjeje, ndërsa më pas klubi konfirmoi zyrtarisht mungesën e tij për shkak të humbjes së një anëtari të ngushtë të familjes.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bayern Munich deklaroi:
“Për shkak të një humbjeje në familjen e tij të ngushtë, Joshua Kimmich nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e sotme kundër Arsenalit. I gjithë FC Bayern qëndron pranë Joshua Kimmich me ndjenjat më të thella të solidaritetit.”
Lajmi ka prekur tifozët, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për futbollistin gjerman dhe familjen e tij në këtë moment të vështirë.
Bayern Munich do të presë Arsenalin në “Allianz Arena”, në një ndeshje të rëndësishme për ecurinë e të dyja skuadrave në Ligën e Kampionëve.
Skuadra gjermane i ka nisur dy ndeshjet e para të kompeticionit me një fitore dhe një barazim. Në takimin e fundit, bavarezët u ndalën në barazimin spektakolar 3-3 në transfertë ndaj Vikingut norvegjez.
Nga ana tjetër, Arsenali ka fituar të dyja ndeshjet e para, ndaj Lille dhe Napolit, dhe synon të vazhdojë serinë pozitive edhe në Mynih.
Përveç Kimmich, Bayern mund të ketë mungesë edhe në pankinë, pasi trajneri Vincent Kompany po përballet me probleme shëndetësore. Ai anuloi angazhimet me mediat të martën dhe pjesëmarrja e tij në ndeshje mbetet në dyshim.
Gjithashtu, bavarezët nuk do të kenë në dispozicion Michael Olise, i cili u ndëshkua me karton të kuq në barazimin ndaj Vikingut.
Top Channel