Ansu Fati do t’i mungojë Barcelonës për afërsisht katër muaj. Kjo është diagnoza e njoftuar në një deklaratë nga shërbimet mjekësore të Barcelonës, pasi anësori 18-vjeçar u operua nga dr. Ramon Cugat nën mbikëqyrjen e mjekëve të klubit “blaugrana”. Sulmuesi i është nënshtruar një operacioni në spitalin “Quirón”, në Barcelonë, për shkak të dëmtimit të meniskut të gjurit të majtë në ndeshjen me Betisin.
Dr. Cugat ka zgjedhur t’ia qepë meniskun në pjesën e dëmtuar dhe jo zëvendësimin e tij. Koha e riaftësimit do të jetë më e gjatë, por duke pasur parasysh moshën e tij të re, është preferuar të sigurohet shërimi total i meniskut.
Në këtë mënyrë, Ansu Fati nuk do të jetë nën komandën e Ronald Koeman deri në mes të muajit mars. Holandezi po mendon për alternativat për të zëvendësuar Ansu Fatin gjatë muajve e ardhshëm, duke marrë parasysh që ai zakonisht ka luajtur si një anësor i majtë, por edhe si sulmues qendre.
Koeman ka anësorë të pastër për këtë rol si Ousmane Dembélé dhe Francisco Trincao, edhe pse portugezi ka luajtur më shumë në të djathtë, që nga ardhja e tij në Barça. Një alternativë tjetër si sulmues anësor natyral është Konrad de la Fuente.
Në rast të zgjedhjes së një anësori të pastër në krahun e djathtë, me Dembélé dhe Trincao si favoritë, trajneri i Barçës ka në dispozicion Pedrin dhe Philippe Coutinhon, si alternative të besueshme, për të mbushur boshllëkun në krahun e majtë, me lirinë për të depërtuar nga brenda.
Mungesa e Ansu Fatiti bën që Antoine Griezmann të luajë shumë me tepër si sulmues i parë. Martin Braithwaite është një tjetër variant për të luajtur si sulmues, me Leo Messi si një mesfushor ose “9” fals.
Top Channel