Jorge Martin është protagonisti i madh i së shtunës në ndalesën e radhës së Botërorit të MotoGP në Spielberg të Austrisë. Piloti spanjoll i Aprilias pasi fitoi pole position, triumfoi edhe në garën Sprint duke marrë edhe kryesimin i vetëm të renditjes së përgjithshme.

I nisur nga vendi i parë, Martin për t’u mbrojtur nga sulmet e Marc Marquez humbi 4 pozicione për të nisur më pas parakalimet ndaj Bagnaias, Oguras, Bezzecchit dhe vetë Marquez për të shkuar në vendin e dytë pas Acostës që kishte marrë kryesimin pasi kishte parakaluar  pikërisht Marc Marquez. Por Acosta u rrëzua në kthesën 2A duke i hapur rrugën drejt fitores bashkëkombasit të tij Martin.

Marc Marquez këtë radhë u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërkohë që në podium u ngjit edhe Bezzecchi që e mbylli Garën Sprint në vendin e tretë. Pas pilotit italian të Aprilias u pozicionuan Ai Ogura dhe Alex Marquez që plotësuan pesëshen më të mirë të garës duke lënë pas në vendin e 6 Francesco Bagnaia. Dhjetëshen më të mirë të Garës Sprint e plotësuant Johan Zarco, Fermin Aldeguer, Brad Binder dhe Fabio Di Giannantonio.

Me fitoren në Garën Sprint të Spielberg, Jorge Martin merr i vetëm kreun e klasifikimit me 286 pikë, 3 më shumë se Marquez në vendin e dytë, ndërkohë që në vendin e tretë pas dy spanjollëve është Marco Bezzecchi me 248 pikë.

Top Channel