Tema mbi të cilën u fol ditën e sotme në Top Talk, e rikthen edhe njëherë në vëmendje të shkuarën e regjimit diktatorial në Shqipëri dhe rolin e shumë figurave të shquara, në raport me këtë regjim.

Debat ka ngjallur një kërkim i studiuesit Auron Tare, sipas të cilit, dy prej figurave të njohura si anti-komuniste, përkatësisht Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, edhe të ish-sigurimit të shtetit. Por Camaj dhe Koliqi ndërkohë njihen dhe si njerëz të letrave por edhe ithtarë të albanologjisë. Materiali ka krijuar reaksion ashtu sikurse dhe pritej dhe për t’i dhënë jehonë këtij debati, të ftuar ishin Auron Taren, autorin e kërkimit dhe analistin Frrok Çupi.

Denis Dyrnjaja: Pse pikërisht këto dy njerëz i solle ti në vëmendje në këtë moment dhe pse të shkoi mendja tek Martin Camaj dhe Ernest Koliqi.

Auron Tare: Në fakt shkrimi im, të cilit I mungon hyrja origjinale, sepse është pjesë e një libri që do të dalë së shpejti, ishte një vazhdimësi e një debati midis dy studiuesve Agron Alibali dhe Bardhyl Demiraj në blogun “Peizazhet e Fjalës”, në të cilën dhe u publikua ky hulumtim. Ishte një debat pikërisht për këtë fakt. Edhe duke parë që unë në arkivin tim, kam një numër dokumentesh të mëdha nga kërkimet që unë kam bërë, përmenden dhe këto dy emra. Unë mendova të kontribuoj në këtë debat, që ndodhte në këtë hapësirë online, por duke qenë se shkrimi ishte pak i gjatë zoti Vebiu që menaxhon “Peizazhet e Fjalës”, mendoi që ta shkurtonim dhe pjesa hyrëse u hoq dhe doli pjesa, të cilët kanë lexuar ata të cilët kanë pasur dëshirë për ta lexuar.

Denis Dyrnjaja: Natyrisht unë e kam lexuar dhe kam një opinion timin, por kjo është pak e rëndësishme çfarë opinion kam unë, për atë çka ju keni shkruar. Dua të pyes ty tani, në rolin e njeriut që e sjellë për ata që lexojnë, port ë autorit, çfarë konkluzioni ti vetë ke arritur.

Auron Tare: Unë nuk kam asnjë konkluzion, nuk kam paragjykuar askënd. Nuk kam folur fare për vlerat letrare të dy personazheve, Camaj dhe Koliqi, sepse nuk është fusha ime. Unë kam sjellë disa dokumente të cilat dalin nga arkiva të shërbimit sekret amerikan, të deklasifikuara, të cilat janë kryqëzuar dhe me dosjen që kanë qenë këtu të sigurimit të shtetit. Mendoj që është një material që kontribuon në njohjen e këtyre dy figurave, pa i hequr vlerën e tyre në letërsi, por për t’i njohur. Këta persona ishin njerëz humanë, të cilët në kontekstin e kohës, kanë bërë letërsi apo politikë në rrethana të caktuara. Kjo nuk i bën ata as më të mirë as më të këqij. Por i plotëson ata si dy figura me interes për publikun.

Ndërkohë një qasje të kundërt nga ajo e studiuesit Tare, kishte analisti Frrok Çupi.

Denis Dyrnjaja: Si e ke njohur Martin Camaj.

Frrok Çupi: E kam njohur në marsin e 91-it. Kam qëndruar gjatë me të, kam folur për plot gjëra, ndoshta dhe për këtë çështje. Kam folur për pikëpamjet e tij politike. Ai ishte padyshim një letrar dhe albanolog i madh dhe ishte i interesuar për veten e tij.

Denis Drnjaja: A kishte kompleks ai faktin që ka qenë një bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, është pranuar gjerësisht kjo gjë. Thuhet në të gjitha dokumentet që ai në 48-ën u pranua si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Frrok Çupi: Martin Camaj më ka thënë fjalë për fjalë, nuk dua ta shikoj vendin. Për arsye se letërsia e realizmit socialist plus ai për një vit do të vdiste dhe ai e dinte që do të vdiste në marsin e vitit që vjen. Arsyet ishin këto, më kanë vrarë shokët me të cilët u arratisa. Ai vend për mua është kthyer në një imazh varri. Dhe e dyta letërsia e realizmit socialist ma ka deformuar pamjen e vendit tim. Ndërsa në këtë që thoni ju për kompleksin e tij si bashkëpunëtor në bashkëpunimin e shtetit, prej kohësh është bërë e qartë se Martin Camaj, është bërë e qartë dhe nga vetë sigurimi i shtetit, vetë sigurimi i shtetit thotë se Martinin e detyruam nën presion për të nënshkruar një letër dhe s’ka asnjë akt, nuk ka kryer asgjë në raport me sigurinë e shtetit. Këtë letër sigurimi i shtetit, siç edhe thotë ia paraqiti CIA-s dhe të tjerëve për t’i thënë që keni të bëni me një spiun shqiptar. Është një nder i madh të jesh një personazh i CIA-s, nuk është një spiunllëk. CIA ishte një aleat i shqiptarëve, ne merremi vesh. Kishim një aleat që donin lirinë e shqiptarëve, kishim një bishë, një murtajë, që quhet komunizëm, i cili duhej eliminuar sa më parë. Auroni ngatërron aleatin e lirisë me shtypësin e lirisë. Auroni në materialin e vet mbanë anën e xhelatit dhe ndëshkon viktimën. Është denigrues ndaj viktimës. Vetë sigurimi i shtetit thotë se edhe pse e detyruam në forca që të dëshmonte për shokët e vet, ai na dha dëshmi të rreme dhe iku nga Shqipëria. Ne do ta ndëshkojmë njeriun i cili luftoi ndaj armikut tonë, apo do të rrimë me armikun tonë të përjetshëm që ku lexon këtë material thua nuk paska ikur komunizmi akoma. Janë denigruar dy figura madhore të kulturës së identitetit shqiptar dhe të lirisë shqiptare. Auroni nuk më paraqet asnjë dokument, ai nuk është as histori, studim. Auroni për fat të keq i drejtohet vlugut që manipulohet me fjalën sigurim, CIA, me fjalën spiun dhe goditjen ndaj personaliteteve të madh të kombit Auroni për fat të keq e bën poshtë brezit. Domethënë zgjon të gjitha forcat regresive, injorante mbi të cilat u mbështet komunizmi.

Top Channel