Çmenduri në Philadelphia, goli dramatik në fund që i dha fitoren e madhe Bregut të Fildishtë
Përgatitjet e Uruguait për ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës 2026 janë kthyer në një makth të vërtetë, pasi delegacioni i kombëtares mbeti i bllokuar jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm një ditë para zbritjes në fushë.
Dy herë fituesit e Kupës së Botës do të përballen me Arabinë Saudite këtë të hënë në Miami, por udhëtimi i tyre drejt qytetit amerikan u kthye në një dramë logjistike. Skuadra e drejtuar nga Marcelo Bielsa pësoi vonesa të thella në fluturimin e tyre nga Meksika, për shkak të problemeve me dokumentacionin zyrtar të avionit që do t’i transportonte drejt Floridës.
Bllokim në Kankun dhe mungesa e Bielsës
Uruguai kishte planifikuar të udhëtonte të dielën nga baza e tyre stërvitore në Kankun të Meksikës, ku ishin vendosur për t’u përgatitur për fazën e grupeve. Megjithatë, avioni i përzgjedhur nuk kishte marrë lejen përkatëse (clearance) për të fluturuar në hapësirën ajrore të SHBA-së. Për pasojë, e gjithë skuadra u detyrua të qëndronte e izoluar në resortin “Mayakoba Complex” në Kankun, në pritje të një zgjidhjeje.
Ky kaos udhëtimi pati një tjetër kosto: trajneri Marcelo Bielsa humbi konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes, e cila ishte planifikuar të mbahej të dielën në orën 20:00 në ambientet e stadiumit “Hard Rock” në Miami.
Zgjidhja në momentet e fundit
Pas orësh të tëra ankthi dhe pasigurie, Federata Uruguaiane e Futbollit konfirmoi vonë të dielën përmes rrjeteve sociale se ekipi më në fund kishte hipur në avion. Fotografitë e para të lojtarëve duke iu drejtuar shkallëve të avionit u publikuan rreth orës 22:30, vetëm diçka më shumë se 24 orë para bilbilit të nisjes së ndeshjes.
“La Celeste” synon të fitojë Kupën e Botës për herë të tretë në histori (pas triumfeve në vitet 1930 dhe 1950), por ky turne nuk ka nisur në mënyrën më të qetë të mundshme. Ata bëjnë pjesë në Grupin H, ku pas Arabisë Saudite do të përballen me Kepin e Gjelbër (po në Miami) dhe më pas me Spanjën (në Zapopan, Meksikë). Strategjia e ekipit jugamerikan është që gjatë gjithë këtij Botërori ta mbajë bazën e saj në Meksikë.
Mbetet për t’u parë nëse ky lodhje fizike dhe stres psikologjik i momentit të fundit do të ndikojë në performancën e yjeve uruguaianë përballë Arabisë Saudite në fushën e “Hard Rock Stadium”.
Top Channel